“Vllaznia B” mund 3-1 Veleçikun dhe siguron play off-in dy javë para fundit

227

“Vllaznia B” ka arritur të fitojë edhe në ndeshjen e rradhës, atë ndaj Veleçikut të Koplikut me rezultatin 3-1 dhe me këtë trepikësh ka siguruar përfundimisht vendin e dytë në renditje, çka I jep asaj mundësinë për të luajtur në play-off. Ndeshja ndaj koplikasve është luajtur pasditen e së dielës në fushën sportive “Reshit Rusi” dhe konsiderohej vendimtare për kuqeblutë e trajnerit Kraja. Në pjesën e parë, pavarësisht rasteve të krijuara, nuk ka patur gol. Madje, Balaj do të humbiste edhe një 11-metërsh për kuqeblutë. Në fillimin e pjesës së dytë, Hallunaj do të kalonte në avantazh Vllazninë B dhe kaq do të mjaftonte që në fushë kjo skuadër të dominonte në të gjitha drejtimet ndaj kundërshtarit. Në minutën e 85-të, Arsen Hajdari do të shënonte edhe golin e dytë dhe të sigurisë ndërkohë që fundin e takimit do të shënonte edhe Arenc Dibra golin e tretë. Në minutat shtesë ndërkohë, Veleçiku do të shënonte golin e nderit me anë të Drabejës. Me këtë fitore, “Vllaznia B” është ngjitur në kuotën e 50 pikëve duke qenë plot 8 pikë larg Vorës së vendit të tretë. Fakti që kanë mbetur edhe dy javë deri në fund të kampionatit, do të thotë se ekipi I dytë I klubit shkodran e ka siguruar përfundimisht këtë vend, I cili siç dihet, e kalon atë në plej-of për të diskutuar pastaj mundësinë e ngjitjes një kategori më lart. Dy javët e mbetura do t’I shërbejnë stafit të këtij ekipi për t’I dhënë mundësinë të gjithë lojtarëve për të luajtur por edhe për të kolauduar mënyrën e të luajturit në ndeshjen më të rëndësishme të sezonit. “Vllaznia B” tashmë pret të mësojë emrin e kundërshtarit me të cilin do të ndeshet në play-off dhe që do të jetë skuadra e cila renditet e parafundit në grupin e Jugut të kategorisë së parë. Çka do të thotë se rivali I tyre I mundshëm mund të jetë Elbasani ose Sopoti I Librazhdit, megjithatë kjo pak rëndësi ka sepse shkodranët janë të vendosur për ta ngjitur këtë ekip një kategori më lart.

www.vllaznia.al