Vllaznia, barazim 0-0 edhe ndaj Partizanit në Elbasan

207

Tjetër barazim për Vllazninë dhe ndaj një tjetri ekip pretendent për titull. Pas barazimit 0-0 pak ditë më parë ndaj Kukësit në Shkodër, kuqeblutë këtë herë kanë barazuar me të njëjtin rezultat ndaj Partizanit në ndeshjen e luajtur në Elbasan. edhe për këtë takim, trajneri Cungu kishte vendosur t’u besonte të njëjtëve futbollistë që luajtën edhe në ndeshjen e parë dhe loja në fakt nis mirë por vetëm pas pak minutash lojë, një gabim në pasim i Tafilit, i jep mundësinë sulmuesi Eskuban që të dalë i vetëm përballë portierit Agoviç dhe ky i fundit shpëton portën e tij nga një gol i sigurtë. Të kuqtë janë më agresivë , e qarkullojnë më shumë topin megjithatë kanë pak raste të tjera gjatë pjesës së parë. Edhe e dyta nis në të njëjtën mënyrë. stafi teknik i Vllaznisë hedh në fushë edhe Vrapin në vend të Bardullës, për të siguruar edhe më shumë prapavijën dhe ia del me sukses. Partizani shton presionin me kalimin e minutave, krijon edhe 2-3 raste të tjera por pa rezultat. Vllaznia nga ana e saj, ka mundësinë që me ndonjë kundërsulm të shpejtë të rrezikojë portën kundërshtare, por lojtarët e saj nuk e kanë freskinë e duhur për ta bërë këtë gjë. Minutat e fundit shtojnë ankthin edhe ngaqë kuqeblutë mbesin me 10 futbollistë në fushë pas dëmtimit të Gocajt, megjithatë ia dalin që ta ruajnë rezultatin e barabartë deri në vërshëllimën e fundit të gjyqtarit Klajdi Kola që duhet thënë se e gjykoi me shumë kompetencë këtë takim. Përfundimisht barazim 0-0 në këtë ndeshje të dytë të kampionatit. Shkodranët e kanë nisur në mënyrën e duhur kampionatin e ri megjithatë kanë ende për të përmirësuar sepse në 180 minuta, ato akoma nuk kanë shënuar gol dhe natyrisht që kjo gjë duhet rregulluar, duke filluar nga ndeshja e rradhës me Flamurtarin.

© vllaznia.al