Vllaznia bind në Kukës. Fiton 3-1 ndaj nënkampionëve

14

Skuadra shkodrane ka bindur me paraqitjen e bërë pasditen e sotme në stadiumin “Zeqir Ymeri” të Kukësit duke fituar ndaj skuadrës vendase me rezultatin 3-1. Një fitore mëse e merituar që ka treguar se kuqeblutë nuk do jenë një skuadër dosido këtë sezon. Pjesa e parë nuk ka qenë shumë e mirë për skuadrën tonë. Në të dytën krejt ndryshe.. Bushiç pas një dylufitim ajror me Brahjen, përfiton një top dhe Brenda zone, gjuan saktë duke kaluar Vllazninë në avantazh. Kjo është minuta e 47-të. Stadiumi “Zeqir Ymeri” hesht. Por vetëm për pak minuta. Në të 53-të, Semina harron të markojë Prognin që I vjen pas shpine, godet tokazi dhe barazon shifrat. Pas këtij goli ka shumë presion nga vendasit për të shënuar edhe golin e dytë por manovra e tyre sulmuese në këtë ndeshje ishte shumë e dobët pavarësisht se trajneri Cungu hedh në fushë edhe Cikalleshin. Por në fakt, ai që bën diferencën është trajneri Canaj me dy zëvendësimet që bën. Në minutën e 62-të largon nga fusha Demën dhe fut Krujën dhe ky futbollist do ishte protagonisti kryesor I ndeshjes. Pas tij do fuste edhe Bardullën në vend të Hajdarit dhe mesfusha kuqeblu fiton lirshmëri. Për rrjedhojë, në ’75 Kruja realizon një gol kryevepër duke goditur me të majtën saktë në hyrje të zonës në formë parabole dhe topi përfundon në trekëndëshin e kundërt të portës së mbrojtur nga Halilaj. Një gol që befason vendasit. Në fushë është edhe Dragoi që ka një rast të artë për të barazuar në ’80 por atë që se bën ai do ta bënte sërish Kruja. Dy minuta para mbarimit të kohës së rregullt, Bushiç ul saktë një top për mesfushorin 20 vjeçar që godet bukur dhe 3-1. Pas këtij momenti loja është ndërprerë për 7-8 minuta sepse tifozët kukësianë kanë hedhur objekte të forta në fushë, natyrisht të zhgënyer nga humbja e skuadrës së tyre. Megjithatë ajo që mbetet është se pas vërshëllimës së fundit të gjyqtarit Alla, kuqeblutë kanë fituar dhe kanë marrë tre pikët e para të këtij kampionati. Jane dalluar ne kete ndeshje mbi te gjitha Rajoviçe e Bushiç por edhe Kruja e Bardulla.
Kukësi- Vllaznia 1-3
Kukësi: Halilaj, Smajli (Dragoi 78’), Brahja, Malota, Hallaçi, Progni, Bratiç, Allmuça, Alikaj (Cikalleshi 56’), Hoxha (Manuka 69’), Popoviç. Tr: A. Cungu
Vllaznia: Vujadinoviç, Beqiri, Rajoviç, Sykaj, Semina, Belisha, Dema (Kruja 62’), Shtubina, Tafili, Hajdari (Bardulla 73’), Bushiç. Tr: A. Canaj
Shënues: Progni 53’/ Bushiç 47’, Kruja 75’, 88’
Gjyqtarë: l. Alla, D. Koreshi, E. Pashaj (Lushnjë)
Kartona të verdhë: Dema, Bratiç

© vllaznia.al