Vllaznia do kërkojë fitoret me Laçin dhe Skënderbeun

273

Vllaznia ka një short shumë të favorshëm në dy javët e ardhshme të kampionatit. Ajo do të ketë dy ndeshje në fushën e saj, fillimisht të dielën me Laçin dhe më pas, të mërkurën e ardhshme me Skënderbeun po në Shkodër. Dy fitore në këto dy takime, do të ishin një ecuri e shkëlqyer e kuqebluve prandaj dhe po punohet me shumë përkushtim në stërvitje për arritjen e tyre. Shumë pozitive është edhe mbështetja që klubi po I jep skuadrës. Ditën e djeshme ato kanë shpërndarë edhe premion e rradhës, atë prej 2 milionë lekësh të akorduar për barazimin e fundit në Lushnjë. Natyrisht ky barazim ka lënë një shije të hidhur tek drejtuesit, futbollistët dhe stafi drejtues, më së shumti për gjykimin e ndeshjes që I ka mohuar dy pikë të tjera atyre. Gjithsesi tashmë ndeshja me Lushnjën është lënë pas dhe po mendohet për takimin e ardhshëm me Laçin. Ndonëse drejtuesit e Vllaznisë kanë shprehur dëshirën që ta spostojnë këtë ndeshje për ditën e shtunë, ato të Federatës Shqiptare të Futbollit e kanë vendosur për ta luajtur të dielën në orën 14.00 në stadiumin “Loro Boriçi”. Pas këtij takimi, do të jetë ai I së mërkurës të ardhshme po në Shkodër, këtë herë ndaj ekipit kampion në fuqi- Skënderbeut. Vllaznia aktualisht është e dyta në renditje dhe dy fitore në këto ndeshje, me shumë siguri do ta ngjisin këtë skuadër në vendin e parë. Por më shumë sesa vendi I parë, e rëndësishme është që skuadra të vazhdojë të tregojë vlerat e saj sërish. Ajo ka tre ndeshje që nuk humbet duke treguar një stabilitet në lojë. Përveç kësaj, për takimin e së dielës, I gatshëm do të jetë edhe mesfushori Olsi Gocaj që e ka lënë pas dëmtimin e tij dhe tashmë do të jetë në dispozicion të trajnerit Canaj për ndeshjen e rradhës, duke qenë kështu një alternativë më tepër për ndërtimin e formacionit.
© vllaznia.al