Vllaznia e Buduçnost hedhin idenë e krijimit të Ligës Ballkanike

222

Klubet e Vllaznisë dhe Buduçnostit do të bashkëpunojnë me njëri- tjetrin jo vetëm në nivelin e ekipeve të para por edhe me Akademitë e tyre. Marrëveshja është arritur në mes dy drejtorëve të klubeve, atij të Vllaznisë Armir Grimës dhe të Buduçnostit Budimir Miranoviç. Ka qenë vizita e ekipit shkodran në Podgoricë ditën e shtunë që është konkretizuar me këtë marëveshje në zyrat e klubit të Buduçnostit. Të dy drejtorët e klubeve janë shprehur të kënaqur për bashkëpunimin që do thellohet edhe më tej ndërkohë që është hedhur edhe ideja e rikrijimit të Ligës ballkanijke sërish në mes klubeve të rajonit tonë. “E kemi për nder të bashkëpunojmë me një klub me shumë emër siç është Vllaznia, për më tepër tashmë edhe me ekipet e Akademisë. E kemi të qartë se Akademia e Vllaznisë është e shkëlqyer dhe ofron shumë mundësi bashkëpunimi prandaj do shohim mundësitë pr të qenë më pranë njëri- tjetrit jo vetëm me ekipet e para por edhe me grupmoshat”. Nga ana tjetër, drejtori sportiv i klubit Vllaznia Armir Grima ka shtuar: “Planet janë shumë serioze këtë herë për të shkuar më larg se çdo herë tjetër në mënyrë që të mos kemi vetëm ndeshje miqësore mes ekipeve të para por edhe me moshat. Vllaznia dhe Buduçnost besoj se do e rrisin edhe më shumë bashkëpunim dhe idetë tona janë për krijimin e një Lige Ballkanike sërish, ashtu siç ka ekzistuar edhe shumë vite më parë”.Bashkëpunimi në mes ekipeve të Akademisë së Vllaznisë me atë të Buduçnostit sigurisht që pritet të jetë I frytshëm ngaqë sidomos trajnerët tanë kanë se çfarë të mësojnë nga trajnerët fqinj që shquhen për vlerat e tyre trajnuese sidomos me moshat.

© vllaznia.al