Vllaznia e femrave 7-0 ndaj Kinostudios. Një fitore për Ambrën

231

Shtatë gola të shënuar në portën e Kinostudios kanë mjaftuar që Vllaznia e femrave të marrë tre pikë shumë të rëndësishme në rrugën e saj drejt shpalljes kampione. Por më shumë sesa tre pikë, fitorja e sotme ka shkuar si dedikim për Ambra Medën, vajzën 17 vjeçare, mbesën e gazetarit të njohur sportiv Dëfrim Methasani, që po kalon një sëmundje të rëndë. Pikërisht për këtë, para ndeshjes është zhvilluar edhe një ceremoni shumë interesante teksa kapitenia e Vllaznisë Erida Bajrakurtaj, i ka dhuruar motrës së Ambrës, fanellën kuqeblu me emrin e saj dhe me numrin 17 të stampuar në të, numër që personifikon vitet e saj. Po ashtu i është dhuruar edhe një top me emrat dhe gjithë firmat e futbollisteve të këtij ekipi. Në fundin e ndeshjes ndërkohë, ka qenë presidenti i këtij ekipi Lazër Matija që i ka dhuruar gjyshit të Ambrës, Shuajp Methasanit, shumën e mbledhur nga donacionet e ndryshme gjatë kësaj ndeshje, shumë që do ndihmojë sadopak në shërimin e kësaj vajze të re dhe mbi të gjitha, një gjest shumë fisnik që duhet vlerësuar. Sa i takon ndeshjes, në pjesën e parë Vllaznia nuk ka arritur dot të dalë në lojën e saj dhe për këtë arsye ajo është mbyllur në barazim 0-0. Dy ndryshime në pjesën e dytë, me futjen në lojë të Lazrit dhe kamerunases Ada, loja ndryshon. Do të ishte kjo e fundit që do të zhbllokonte rezultatin në minutën e 52-të dhe kaq ka mjaftuar që më pas të vinte një gol teksa ajo do shënonte edhe dy gola të tjera ndërsa kanë shënuar edhe Berisha, Proto, Govori dhe Bebeyene. Përfundimisht 7-0 për Vllazninë e cila ngjitet në kuotën e 16 pikëve duke mbajtur tashmë e vetme vendin e parë në renditje dhe duke hedhur një hap të sigurtë drejt shpalljes kampione e dimrit për momentin
Vllaznia- Kinostudio 7-0
Vllaznia: Cadenoviç, Govori, Bajrakurtaj, Gjini, Vujosheviç (Ada 46′), Sonkeng (Bebeyene 77′), Berisha, Doçi (Muja 79′), Proto, Gruda (Lazri 46′), Tula (Sufaj 66′). Tr: S. Pepaj
Kinostudio: Bici, Lipe (Ndoj 75′), Gjergji, Kodra, Çaushllari, Lulaj, Poçesta, Tuci (Begallo 54′), Balilaj, Koldashi, Kaçi. Tr: G. Gjonpalaj
Shënuese: Ada 52′, 65′, 90′, Berisha 57′, Govori 71′ (11-m), Proto 73′, Bebeyene 85′ (11-m)
Gjyqtarë: K. Kola, A. Shkreta, K. Kostiri (Tiranë)
Kartona të verdhë: Proto, Cadenoviç/ Poçesta
Karton i kuq: Çaushllari

© vllaznia.al