Vllaznia e femrave “ndeshje stërvitore” me Apoloninë. E mund 11-0

265

Vllaznia ka arritur një fitore të thellë paraditen e sotme në ndeshjen e rradhës të kampionatit, atë të luajtur në fushën sportive “Reshit Rusi” ndaj Apolonisë së Fierit. Rezultati i fiksuar në fund të 90 minutave të këtij takimi ka qenë 11-0 për shkodranet por ai mund të kishte qenë edhe më i thellë në fakt nisur nga diferenca e madhe në mes dy ekipeve.Pjesa e parë e ndeshjes është mbyllur me rezultatin 7-0 ndërsa në të dytën janë shënuar edhe katër gola të tjerë nga vajzat shkodrane. Interesant është fakti se për Vllazninë plot 5 gola në këtë ndeshje janë shënuar nga dy prej futbollisteve të ardhura pak kohë më parë nga Kameruni dhe pikërisht Bebey ka shënuar tre gola ndërsa Ada dy gola. Ato sigurisht që e kanë rritur forcën e ekipit megjithatë sipas trajnerit Selami Pepaj forca e skuadrës nuk matet në këtë ndeshje sepse përballë ka patur një ekip të sapokrijuar si Apolonia dhe megjithë përpjekjet e trajnerit të saj Arben Ymeri, sërish ajo ka shumë disnivel me vajzat kampione në fuqi të vendit. Ja skeda e ndeshjes së sotme:
Vllaznia – Apolonia 11-0
Vllaznia: Franja, Sonkeng (Tula 48’), Ada, Bebey, Muja, Lazri, Sufaj, Hoxhaj, Doçi, Gruda, Gjini (Bajrakurtaj 46’) TR: Selami Pepa
Apolonia: Muho, Bicmeti, Taullahu, Hoxha, Xhela (Doko 35’), Dushku, Qyshku, Sollaka, Muço, Lika, Syka TR: Arben Ymeraj
Golat: Bebey 4’, 47’, 53’, Ada 6’, 19’, Muja 7’,  Gruda 11’, 75’, Doçi 21’, Lazri 28’, Hoxhaj 51’
Arbitër: B. Grepo, K. Gjyli, M. Kelaj (Durrës)
Në ndeshjet e tjera të kësaj jave, Kinostudio ka barazuar 1-1 me Tirana AS ndërsa Juban Danja ka fituar 5-1 në Durrës me Shkëndinë. Në këtë mënyrë, pas javës së pestë të kampionatit, Vllaznia udhëheq renditjen me 13 pikë, po aq sa edhe Kinostudio, skuadër me të cilën do të ndeshet javën e ardhshme në Shkodër dhe në rast fitoreje të vajzave shkodrane, ato do të shpallen kampione të dimrit.
© vllaznia.al