Vllaznia e grumbulluar në Durrës. Autobuzë në dispozicion për tifozët

226

Skuadra e Vllaznisë duket e angazhuar në maksimum për të marrë një rezultat pozitiv në takimin e nesërm me Besën. Për këtë arsye, edhe drejtuesit e klubit kanë vendosur t’ia plotësojnë të gjitha kërkesat stafit drejtues duke e grumbulluar dy ditë para ndeshjes. Pas stërvitjes së djeshme të zhvilluar në stadiumin “Loro Boriçi”, ekipi ka udhëtuar drejt Durrësit ku do qëndrojë deri mesditën e nesërme. Kuqeblutë janë grumbulluar në hotel “Leonardo” në kushte mjaft të mira dhe tashmë prej tyre pritet një paraqitje e mirë në fushën e lojës. Në dispozicion të trajnerit Haxhiosmanoviç janë të gjithë futbollistët dhe kjo do t’ia bëjë atij më të lehtë punën për ndërtimin e formacionit. Po ashtu, drejtuesit e klubit kanë vendosur që të plotësojnë edhe dëshirën e tifozëve shkodranë për të qenë të pranishëm në stadiumin e qytetit të Kavajës për këtë takim duke u vënë atyre në dispozicion disa autobuzë falas. Takimi i nesërm konsiderohet shumë i rëndësishëm për fatet e skuadrës sonë prandaj dhe duke patur mbështetjen e tifozëve tanë të zjarrtë, mund t’ia dalim të marrim rezultatin e duhur.
© vllaznia.al