Vllaznia e mbyll vitin 2016 me barazim 0-0 ndaj Tiranës

220

Në barazim 0-0 është mbyllur takimi i fundit i fazës së dytë të kampionatit, ai në mes Vllaznisë dhe Tiranës, takim ky i luajtur pasditen e sotme në stadiumin “Loro Boriçi”. Ndeshja nuk ka prodhuar ndonjë futboll të bukur sepse është zhvillua kryesisht në mesfushë dhe kanë munguar rastet në portat respektive. Në atë të vendasve, vetëm një pasiguri e portierit Agoviç në minutat e para të ndeshjes, i ka mundësinë lojtarëve kundërshtarë të rrezikonin portën por topi nuk shkon drejt portës. Minuta e 15-të do të krijonte një problem për stafin teknik të kuqebluve sepse Tafili detyrohet të lërë fushën e lojës për shkak të një dëmtimi dhe vendin e tij e zë Cicmil. Më pas, do të ishte rradha e Krymit për të qenë protagonist. Në minutën e 25-të, ai merr një një pas të bukur nga Pepa në të majtë, gjuan por pa shënjestruar dot portën e mbrojtur nga Lika. Një minutë më vonë, do ishte sërish Krymi që shfrytëzon një pasiguri të Teqjes në mbrojtjen e topit, ndërhyn ai por pengohet në mënyrë të parregullt nga portieri megjithatë arbitri nuk tregon pikën e bardhë të 11-metërshit. Asistenti i tij duket se ka akorduar faull të mesfushorit shkodran ndaj mbrojtësit bardheblu. Pjesa e parë nuk do kishte raste të tjera. Në pushimin mes dy pjesëve, i mirënjohur Fabjan Duro, nën shoqërinë e futbollistes së Vllaznisë Megi Doçi, ka bërë veprime të shkëlqyera në xhonglimet e tij me topin, duke merituar edhe duartrokitjet e tifozëve të pranishëm në stadium. Ndëkohë, në pjesën e dytë pritej njëfarë ndryshimi në lojën e të dy ekipeve por nuk do të ndodhë kështu. Në 45 minutat e saj, nuk do të kishte asnjë rast serioz në portat respektive dhe përfundimisht 0-0.
Formacioni i Vllaznisë: Agoviç, Gocaj, Bicaj, Vrapi, Pjeshka, Krymi, Bardulla, Tafili (Cicmil), Shtubina, Kruja (Çinari), Pepa (Hebaj). Tr: A. Cungu

© vllaznia.al