Vllaznia fiton 3-1 në miqësoren me Besëlidhjen e Lezhës

210

Vllaznia e ka fituar edhe miqësoren e dytë në prag të nisjes së kampionatit të ri. Pas fitores 2-1 javën e kaluar me Tërbunin, dje ajo ka mundur 3-1 Besëlidhjen e Lezhës. Ndeshja është zhvilluar në stadiumin “Loro Boriçi” dhe trajneri Raineri ka aktivizuar nga minuta e parë portierin Selimaj e me rradhë Gocaj, Sykaj, Xhafa, Baci, Hajdari, Tafili, Markolaj, Shtubina, Kruja e Rraboshta. Pjesa e parë është mbyllur barazim 1-1 teksa ka qenë Dibra ai që ka kaluar në avantazh Vllazninë me një autogol të shënuar në portën e tij ndërsa ka barazuar në fundin e pjesës së parë Malo me 11-metërsh. Në pjesën e dytë janë aktivizuar edhe Sherri, Hallunaj, Gurishta, Borshi, Marku, Kalaja, Suma, Vecaj, Dibra, Shala e Ferhati. Në këto 45 minuta, Vllaznia ka shënuar edhe dy gola të tjerë me anë të Sykajt dhe Ferhatit duke bërë kështu që e gjithë ndeshja të mbyllet me fitoren e saj 3-1. Pas ndeshjes, trajneri Raineri është shprehur përgjithësisht I kënaqur me lojën e zhvilluar. Po ashtu, ai ka thënë se prêt përforcime por njëkohësisht ka bërë thirrje për më shumë mbështetje për lojtarët e rinj. Ndërkohë, Vllaznia ka filluar të lëvizë në merkato. Ditën e djeshme zëvendëspresidenti Isufi ka mbyllur marrëveshjen me portierin malazez Vladan Giljen I cili ka luajtur për tre sezone në Portugali. Po ashtu ka ardhur edhe Shala si dhe dy kosovarë të tjerë, Funiqi e Sadiku të cilët do jenë në provë për disa ditë. Skuadra shkodrane duket se po plotësohet gradualisht për kampionatin e ri.

www.vllaznia.al