Vllaznia fiton 4-2 në miqësoren e sotme me Tërbunin

229

E ka nisur me fitore serinë e ndeshjeve miqësore të kësaj periudhe ekipi i Vllaznisë. Pasditen e sotme ai është ndeshur me Tërbunin e Pukës, ndeshje që është zhvilluar në fushën sportive “Reshit Rusi” të Shkodrës. Rezultati përfundimtar i kësaj miqësoreje ka qenë 4-2 për kuqeblutë. Ata janë drejtuar në këtë takim nga zëvendëstrajneri Samuel Nikaj ngaqë trajneri Canaj ka munguar për shkak të një problemi shëndetësor të të vëllait. Formacioni i pjesës së parë ka qenë i përbërë nga Vujadinoviç, Gocaj, Bulat, Kraja, Marku, Belisha, Tafili, Bardulla, Shtubina, Hajdari, Bushiç. Pjesa e parë e ndeshjes është mbyllur me rezultatin 3-0 në favor të Vllaznisë me gola të shënuar nga Bushiç me 11-metërsh, Tafili dhe Kraja. Në pjesën e dytë është aktivizuar një 11-sh tjetër duke filluar që nga portieri Selimaj, kosovari Osmani i ardhur për provë, Zefi, Rexha, Balaj, Kalaja, Dibra, Shaba, Kruja, Vecaj, Idrizi. Në minutat e para të kësaj pjese, Shaba do të shënonte golin e katërt për Vllazninë ndërsa më pas ka qenë Tërbuni që ka shënuar dy herë me anë të Agastrës dhe Dodajt. Përfundimisht 4-2 për Vllazninë në këtë miqësore e cila shërbeu për të parë edhe formën e dy lojtarëve të ardhur për provë, mbrojtësit kroat Ante Bulat dhe mesfushorit kosovar Përparim Osmani. Për të parin, nisur edhe nga forma e treguar në këtë miqësore, ai nuk e ka kaluar provën dhe do largohet ndërkohë që për Osmanin duket se nuk kanë mjaftuar 45 minutat e kësaj miqësoreje dhe prandaj do shihet sërish në ditët e ardhshme dhe konkretisht në ndeshjen e së shtunës me Tiranën.

© vllaznia.al