Vllaznia fiton edhe miqësoren e dytë. Mund 1-0 Jedinstvon

212

Skuadra shkodrane arrin edhe fitoren e dytë në po kaq ndeshje miqësore të zhvilluara në përgatitoren malazeze. Këtë herë përballë saj ka qenë ekipi i Superligës së këtij vendi, Jedinstvo e Bjellopoljes dhe në fund të takimit është fiksuar rezultati 1-0 në favor të Vllaznisë. Autor i të vetmit gol të ndeshjes mësohet të ketë qenë një mesfushorI serb i ardhur për provë Vladimir Mandiç. Ai është aktivizuar në pjesën e dytë të  ndeshjes dhe menjëherë ka arritur të gjejë rrugën e rrjetës. Takimi i sotëm ka qenë me interes edhe për të parë formën e sulmuesit serb Alen Melunoviç i cili është në provë prej disa ditësh megjithatë ai ka qenë i pafat sot. Vetëm pak minuta lojë dhe 26 vjeçari është dëmtuar duke u detyruar të zëvendësohet. Kjo ka bërë që stafi teknik të mos e ndajë mendjen për ta mbajtur apo jo dhe ndoshta do t’i duhen edhe disa ditë për të vendosur. Sa i takon miqësores së sotme, duhet thënë se kuqeblutë përgjithësisht kanë luajtur mirë, ndonëse kundërshtari i tyre është më në formë ngaqë kampionati malazez ka nisur prej dy javësh ndërkohë që Vllaznia ende nuk e ka kapur formën e saj më të mirë. Gjithsesi në fushën e lojës, nuk janë vërejtur diferenca në këtë drejtim. Në pjesën e parë trajneri Cungu ka aktivizuar formacionin e tij më të mirë dhe pikërisht me Agoviç, Gocaj, Cicmil, Bicaj, Marku, Bardulla, Tafili, Shtubina, Hoxha, Melunoviç dhe Pepa.  Megjithatë ky 45 minutësh është mbyllur në barazim 0-0. Në pjesën e dytë u ka ardhur rradha për të luajtur edhe futbollistëve të tjerë teksa janë aktivizuar edhe Selimaj, Gurishta, Vrapi, Manuka, Mandiç, Hebaj, Dyca, Pjeshka, Kruja, Erkoçeviç etj dhe pikërisht njëri prej tyre, një mesfushor malazez i ardhur për provë, ka arritur të shënojë golin e vetëm të ndeshjes që i ka dhënë fitoren skuadrës shkodrane. Ajo në këtë mënyrë pas fitores 3-0 ndaj FK Brskovo në takimin e parë, fiton edhe një tjetër miqësore ndërkohë që para se të kthehet në Shqipëri pritet të luajë edhe një apo dy takime të tjera me skuadra vendase.

© vllaznia.al