Vllaznia fitore me shumë vlerë në Vlorë. Vendos goli i Cicmil

203

Vllaznia ka marrë një trepikësh me shumë vlerë pasditen e sotme ndaj Flamurtarit në Vlorë. Ka mjaftuar një gol i Cicmil në minutën e 37-të që kuqeblutë të marrin fitoren në këtë qytet pas plot 9 vitesh mungesë. Ndonëse me një lojë jo shumë bindëse, futbollistët shkodranë kanë siguruar një trepikësh me shumë vlera. Loja nuk ka nisur mirë për ta. Vendasit ushtrojnë më tepër presion megjithatë rastin e parë të ndeshjes e ka ëeitzer që godet nga jashtë zone dhe topi kalon ngjitur me shtyllën e majtë pingule. Vetëm kaq, sepse më pas do ishin vlonjatët që do të kontrollonin mesfushën por atyre u mungojnë rastet. Në minutën e 37-të do të vinte edhe goli. Vllaznia fiton një goditje dënimi në krahun e majtë të sulmit të saj. Atë e merr përsipër ta ekzekutojë Kalaja që kroson bukur në zonë dhe po kaq bukur kërcen me kokë Cicmil duke e dërguar atë në rrjetë. Me këtë gol do të mbyllej pjesa e parë. Në të dytën pritej një rritje e presionit të Flamurtarit por deri në minutën e 75-të nuk ndodh asgjë. Vetëm në çerekorëshin e fundit, lojtarët e tij do zgjohen disi, duke përfituar edhe nga një tërheqje prapa e shkodranëve dhe krijojnë disa raste shënimi me anë të Alvezh, Galiç dhe madje në një moment, Shkodra do të godiste edhe shtyllën pingule. Por vetëm kaq. Vllaznia fiton 1-0 dhe ngjitet në kuotën e 15 pikëve në renditje. Një trepikësh me shumë vlerë që do ta ndihmojë shumë atë në ecurinë e mëtejshme në kampionat.
Flamurtari – Vllaznia 0 – 1
Shënues: Cicmil 37′
Flamurtari: Halilaj (Frashëri 93′), Beqaj, Kuqi, Veliu, Rniç, Zeqiri (Galiç 67′), Telushi, Shkodra, Shehaj, Radoviç (Dushku 84′), Danilo Alvesh. Trajner: Gentian Mezani

Vllaznia: Agoviç, Gocaj, Bicaj, Cicmil, Marku, Bardulla, Krymi; Çinari (Pepa 61′), Vaicer (Vrapi 77′), Kalaja (Pjeshka 88′), Shtubina. Trajner: Armando Cungu

Gjyqtar: Olsi Sokoli

www.vllaznia.al