Vllaznia gabon në “Reshit Rusi”. Humbet 1-2 ndaj Laçit

202

Vllaznia gabon rëndë brenda në Shkodër duke humbur 1-2 ndaj Laçit në “Reshit Rusi”. Një humbje që sigurisht do të ndikojë në ecurinë e mëtejshme të kuqebluve në kampionat. Në fillim të ndeshjes, është mbajtur një minutë heshtje në nderim të Esat Rakiqit ndërkohë që futbollistët shkodranë kanë luajtur edhe me shirit të zi në krah. Ndeshja në fakt ka nisur mirë për skuadrën e drejtuar nga trajneri Cungu. Në minutëm e 14-të Çinari fut një top në zonë, aty ku Shtubina godet saktë me kokë duke e dërguar topin në rrjetë. Por entuziasmi i vendasve nuk do të zgjaste shumë. Në minutën e 23-të Toski ekzekuton një goditje dënimi nga rreth 40 metra dhe portieri Agoviç bën një gabim të pafajshëm duke e nënvleftësuar topin që përfundon në rrjetë. Pjesa e parë mbyllet 1-1. Në të dytën, Vllaznia ushtron presion por mungojnë rastet. Në minutën e 70-të ndodh ajo që nuk pritej. Laçi me një goditje dënimi shënon edhe golin e dytë me anë te Lulajt, gol që do t’i jepte fitoren Laçit në këtë takim. Trajneri i Vllaznisë Cungu pas ndeshjes ka deklaruar se secili prej pjestarëve te skuadrës, duke nisur nga vetë ai duhet të marrin përgjegjësitë e kësaj humbje. Javën e ardhshme, Vllaznia do të luajë sërish në Shkodër, këtë herë ndaj Teutës, megjithatë para këtij takimi, sigurisht që duhet analizuar humbja me Laçin për të nxjerrë edhe përgjegjësitë dhe shkaktarët që çuan në atë rezultat.
© vllaznia.al