Vllaznia kthen tifozët për të mundur Flamurtarin

223

Gjashtë humbje rresht vërtetë janë shumë për Vllazninë. E pikërisht kjo situatë, ka detyruar drejtuesit e klubit që të mendojnë ndryshe për daljen prej saj. Pikërisht me ndihmën e tifozëve të vet. Për këtë arsye, ditën e djeshme drejtues të klubit kanë vendosur të paguajnë shumën që është kërkuar nga Federata Shqiptare e Futbollit për të hequr dënimin e mbetur prej 4 ndeshjesh nga 10 që kanë qenë në fillim të dhëna nga Komisioni i Disiplinës për incidentet në takimin me Tiranën. Kjo nuk ka qenë e lehtë të realizohej duke ditur edhe se financat e klubit për momentin nuk janë aty ku duhet. Megjithatë tifozët duhen pranë dhe prandaj një sforco e tillë ia vlen.

Por për ta bërë edhe të bukur atmosferën për këtë ndeshje dhe për të thithur edhe më shumë tifozë, klubi shkodran ka ndryshuar edhe orarin e zhvillimit të saj. E programuar për t’u luajtur në orën 14.00, ajo do të nisë në orën 17.00 sepse do të luhet nën dritat e projektorëve. Marrëveshja është arritur me Federatën dhe me kompaninë që ka të drejtën e transmetimit të ndeshjeve të Superligës dhe kësisoj tashmë çdo gjë duket OK. Duhet vetëm fitorja e kuqebluve.
Kthimi i tifozëve
Për drejtuesit e klubit nuk ka qenë e lehtë. Pas shumë kontaktesh edhe me kryetarin e ri të Bordit Mbikëqyrës Xhevdet Amulin, është rënë dakord që vetë klubi të bënte një sforco financiare për ta paguar vetë shumën. Kjo është realizuar dhe kësisoj Vllaznisë i rikthehen tifozët pas më tepër se dy muajsh mungesë. “Skuadra nuk mund të luante më pa tifozë. Ajo nuk ka kaluar një moment të mirë kohët e fundit dhe me kthimin e tifozëve, besoj se gjërat do ndryshojnë. Natyrisht nuk ishte e lehtë për ne të merrnim përsipër pagesën e kësaj shume por duhej bërë diçka dhe menduam të sakrifikojmë sepse tifozët janë të rëndësishëm për ne. Vllaznia s’mund të bëjë pa to”- ka thënë kryetari i Bordit Mbikëqyrës të klubit Xhevdet Amuli
Ndryshimi i orarit
Duke qenë se është një ndeshje shumë e rëndësishme, drejtuesit e klubit Vllaznia kanë menduar që të ndryshojnë orarin e zhvillimit të saj. Kuptohet, me idenë se tifozët shkodranë janë disi “të etur” për ta parë skuadrën të luajë në “Loro Boriçi”, numri i tyre mund të jetë i madh këtë herë por orari 14.00 kur ka qenë planifikuar të luhej ajo, nuk ka qenë shumë i përshtatshëm. Për këtë arsye, pasi janë testuar edhe projektorët dhe gjithçka ka qenë në rregull, Klubi Vllaznia i ka bërë një kërkesë FSHF-së për ta çuar orarin e zhvillimit të këtij takimi në 17.00. Kjo e fundit, pas konsultimit edhe me kompaninë që ka të drejtën televizive të Superligës shqiptare, e ka pranuar këtë kërkesë të shkodranëve dhe tashmë çdo gjë duket në rregull. Ajo që mungon është vetëm fitorja e Vllaznisë. E e fundit është “harruar” se kur ka ndodhur dhe prandaj momenti për ta rikthyer atë ka ardhur.

© vllaznia.al