Vllaznia- Kukësi, miqësorja e femrave të dielën në orën 12.00 në “Reshit Rusi”

235

Ai në mes ekipeve të meshkujve, është kthyer në një derbi të vërtetë. Vllaznia dhe Kukësi tashmë jo vetëm që nuk shihen si dy skuadra të një diference të madhe, përkundrazi ndeshjet në mes tyre janë kthyer në sfida shumë të mirëpritura për tifozëritë e të dy qyteteve veriore. Por e reja më e fundit është se nuk do kemi vetëm derbin e meshkujve. Shumë shpejt do kemi edhe derbin e ekipeve të femrave në futboll. Për këtë, ditën e dielë në Shkodër do të zhvillohet miqësorja e parë në mes tyre. Takimi është lënë për t’u luajtur në orën 12.00 në fushën sportive “Reshit Rusi” të Shkodrës. Lajmi konfirmohet nga presidenti i ekipit të Vllaznisë Lazer Matija, i cili gjithmonë ka qenë i gatshëm për bashkëpunime të tilla edhe me ekipet fqinje, si ato malazeze ashtu edhe ato kosovare. Ekipi shkodran siç dihet kryeson kampionatin kombëtar dhe është pretendenti kryesor për fitimin e titullit kampion këtë sezon ndërkohë që ekipi kukësian nuk ka shumë kohë që është krijuar. Ai formohet nga disa vajza nga Suhareka e Kosovës, të cilave u janë bashkangjitur edhe disa vajza të tjerë kukësiane dhe në këtë mënyrë kanë krijuar një ekip që do të marrë pjesë në kampionat. Ende nuk dihet nëse FSHF-ja do ta lejojë të marrë pjesë që në fazën e dytë të këtij kampionati apo në fillim të kampionatit të ardhshëm, megjithatë e rëndësishme është që do kemi një tjetër derbi verior në mes këtyre dy ekipeve. Ndeshja miqësore e së dielës në orën 12.00 pritet të ndiqet me interes nga një numër i madh tifozësh të cilat çdo ditë e më tepër janë pranë këtij lloji futbolli. Në këtë mënyrë kjo do të jetë edhe ndeshja e parë e Vllaznisë së drejtuar nga trajneri Selami Pepa në prag të nisjes së ndeshjeve të Kupës së Shqipërisë që do të startojnë më 11 janar.

© vllaznia.al