Vllaznia mbyll merkaton me goditje të minutave të fundit

192

Merkatoja e Vllaznisë është mbyllur në mënyrën më të mirë të mundshme mesnatën e së hënës kur edhe ishte afati i fundit i saj. Pas një pune të lodhshme të gjithë stafit, është konkretizuar  marrja e disa futbollistëve të tjerë të huaj duke e çuar numrin e tyre në shtatë. Kështu pas kosovarit Shala që erdhi i pari, serbit Mehmedoviç e më pas të dy uruguajanëve Soza e Aguirre, ditën e fundit të merkatos kanë mbërritur edhe tre futbollistë të tjerë të cilët kanë firmosur për kuqeblutë. I pari pritej, pikërisht portieri italian Gianmarco Campironi i ardhur në formë huazimi nga ekipi zvicerian Chiasso. Bashkë me të erdhi edhe lojtari 19 vjeçar i Interit Ilouga por ky i fundit është kthyer mbrapsht për arsye se ka rezultuar me probleme shëndetësore dhe stafi mjekësor i Vllaznisë nuk ka dhënë OK-in e tij. Pas largimit të këtij futbollisti, në orët e vona të mbrëmjes së të hënës, drejtuesit e klubit kanë arritur akordin edhe me dy futbollistë të tjerë. Bëhet fjalë për futbollistin 20 vjeçar italian të ardhur në formë huazimi nga Parma Mauro Çioffi. Bashkë me të ka firmosur edhe mesfushori serb Edin Mujkoviç që vjen nga ekipi i Novi Pazarit. Por përveç të huajve, me kuqeblutë janë federuar edhe dy shkodranët, mbrojtësi Ervis Kraja dhe sulmuesi Sindrit Guri. Kësisoj merkatoja kuqeblu është mbyllur në mënyrën e duhur për kuqeblutë dhe tashmë lojtarët e ofruar në skuadër pritet të japin më të mirën e mundshme për skuadrën duke filluar nga ndeshja e rradhës me Tiranën.
www.vllaznia.al