Vllaznia më në fund thyhet. Mundet 0-3 në Korçë nga Skënderbeu

229

Ndalen kuqeblutë. Pas katër ndeshjeve pa pësuar gol dhe humbje, Vllaznia pasditen e sotme ka luajtur në Korçë ndaj Skënderbeut vendas dhe është mundur prej tij me rezultatin 3-0. Një humbje e cila ka ardhur si logjikë e një loje aspak të mirë që futbollistët tanë kanë zhvilluar. Korcarëve I mjaftuan vetëm 8 minuta lojë për të kaluar në epërsi me Xhejms Adenijin, që shfrytëzoi mjaft mirë një top të devijuar nga Osmani pas ekzekutimit nga goditja e këndit. Goli i epërsisë I dha sigurinë e duhur korcarëve, dhe Latifi që mori grumbullimin e parë nga De Biasi në kombëtare kërkoi të festonte me një gol por Agoviç reagoi mirë në të 14-tën. Loja ishte tërësisht në kontroll të kampionëve që në të 37-tën gjetën sërish hapësirën e duhur për të shënuar dhe golin e 2-0, me Latifin që dha një assist të bukur për Salihin që thjesht shtyu topin për në rrjetë. Do ishte përsëri ky futbollist që në minutat e fundit të ndeshjes do të shënonte sërish, duke fiksuar rezultatin përfundimtar të saj.Shkodranët kësisoj janë mundur duke “u kthyer me këmbë në tokë” dhe natyrisht që duhet të bëjnë një analizë të hollësishme të kësaj paraqitje, pikërisht para ndeshjes së rradhës, asaj që do të zhvillojnë sërish në transfertë ndaj Luftëtarit të Gjirokastrës.

© vllaznia.al