Vllaznia merr një tjetër futbollist. Firmos mbrojtësi shqiptaro- maqedonasi Sedat Berisha

211

Merkatoja e skuadrës shkodrane vazhdon me ritmet e duhura. Pas firmës së djeshme të Xhevahir Sukajt, sonte ka ardhur një tjetër firmë në kontratë. Këtë herë bëhet fjalë për mbrojtësin shqiptar të Maqedonisë Sedat Berisha. Ai ka mbërritur pasditen në Shkodër dhe pas bisedimeve me administratorin Gjyrezi, kanë rënë dakord me kushtet e kontratës duke kaluar më pas në firmosjen e saj. Berisha ka firmosur një kontratë njëvjeçare dhe do jetë pjesë e Vllaznisë deri në fund të vitit 2018. Në prononcimin e tij të parë si futbollist kuqeblu, ai është shprehur: “E kam pritur me shumë kënaqësi ofertën për të ardhur në Shqipëri tek Vllaznia, kjo skuadër me shumë emër dhe padyshim që do të përpiqem të jap më të mirën time. Vendi që ajo ka sot në renditje nuk i shkon për shtat dhe bashkë me të gjithë shokët e ekipit, do të bëjmë çmos që ajo të ngjitet në vendin që i takon”. Berisha ka një karrierë të pasur si futbollist teksa përveç aktivizimeve në Maqedoni me Shkëndinë e Tetovës, Shkupin e ekipeve të tjera të këtij vendi, ka luajtur edhe në Turqi dhe në Kuvajt. Tashmë vjen tek Vllaznia dhe nga dita e nesërme do jetë në stërvitje për t’u vënë nën urdhërat e trajnerit Gjoka.

© vllaznia.al