Vllaznia mund 4-2 Kastriotin dhe merr fitoren e pestë rradhazi

225

Vllaznia aktuale duket një skuadër rekordesh me 5 fitore në 5 ndeshjet e fundit të luajtura. Në fakt nuk është e tillë. Ende ajo lufton për mbijetesë megjithatë fitorja e sotme në ndeshjen e luajtur në Krujë me Kastriotin i jep asaj më shumë shanse për qëndrim sërish në mes skuadrave të Superligës. Fitorja 4-2 ndaj krutanëve ka qenë mëse e merituar përballë një kundërshtari që dukej se e kishte kuptuar qe nuk kishte me asnje shans per te shpetuar. Ndeshja fillon mirë për miqtë të cilët shënuan me anë të Krujës që në minutën e 8-të të ndeshjes. Bushiç duhej të kishte dyfishuar rezultatin pak më vonë por ai gabon përballë portierit vendas dhe atë që se bëri ai, do ta bënte Doku që në minutën e 23-të do barazonte shifrat. Pas këtij goli ritmi i Vllaznisë bie dhe kur u duk se pjesa e parë do mbyllej në barazim 1-1, Tafili në ’44 godet topin me kokë fare pranë portës. Topi po i drejtohej vijës fatale dhe në përpjekje për ta larguar, ka një mosmarrëveshje në mes portierit Kukrika dhe një mbrojtësi e topi përfundon në rrjetë. Në pjesën e dytë Bushiç bëhet protagonist i dy- tre rasteve të humbura, madje në ’59 ai është i pafat. Topi i goditur prej tij shkon drejt rrjetës por ndalet në një pellg ujë fare pranë vijës fatale dhe aty është Shtubina që ndjek aksionin dhe e dërgon atë në rrjetë. Loja rihapet 10 minuta më vonë kur Beqiri prek një top me dorë brenda zonës së rreptësisë dhe gjyqtari Jemini akordon 11-metërsh. Nga pika e bardhë kapiteni Caca tregohet i saktë duke shënuar. Megjithatë vetëm kaq sepse në ’82 Bushiç më në fund shënon. Ky është goli i katërt dhe i fundit i ndeshjes. Vllaznia merr tre pikë shumë të vlefshme dhe pret disi e qetë ndeshjet e nesërme duke pritur ndonjë hap të gabuar të rivaleve të saj megjithatë për momentin ajo ndodhet në pozita komode në renditje.
Kastrioti- Vllaznia 2-4
Kastrioti: Kukrika (Çali 46′), Caca, Abraham, Xhafa, Sheta, Da Silva, Sefa, Ferraj (Manuka 46′), Doku, Çela (Tepshi 46′), Popoviç. Tr: Nevil Dede
Vllaznia: Vujadinoviç, Beqiri, Vukçeviç, Sykaj, Baci (Marku ’78), Tafili (Gocaj 62′), Bardulla, Kruja, Shtubina, Hajdari (Dema 83′), Bushiç. Tr: D. Haxhiosmanoviç
Shënues: Doku 23′, Caca 69′ (11-m)/ Kruja 8′, Tafili 44′, Shtubina 59′, Bushiç 82′
Gjyqtarë: L. Jemini, E. Barushi, D. Myftari (Tiranë)
Kartona të verdhë: Caca, Sheta/ Beqiri
© vllaznia.al