Vllaznia mundet 0-1 nga Skënderbeu. Trajneri Raineri konteston gjykimin

219

Vllaznia është ndëshkuar nga Skënderbeu, ndonëse përmes një 11-metërshi jo pak të kontestuar nga ana e vendasve. Megjithatë, në fushën e lojës korçarët sidomos në pjesën e dytë treguan se e merituan fitoren. Kuqeblutë nga ana tjetër, kishin humbur jo pak energji në takimin e kaluar me Partizanin dhe dje, nuk e kishin atë forcë për të përballuar edhe kampionët. Megjithate 11-metershi i dhene nga gjyqtari ne ’90 eshte kontestuar edhe nga trajneri Raineri, kuptohet i ndihmuar edhe nga pamjet filmike qe ofronte ky rast.Vllaznia e nis ndeshje sërish me ndryshime në formacion. Trajneri Raineri për të kompesuar mungesën e Krymit, ka aktivizuar Demën në vend të tij ndërkohë që ka edhe disa lëvizje të tjera. Mehmedoviç është i rreshtuar në qendër të mbrojtjes, përkrah kapitenit Beqiri ndërsa Sykaj është spostuar në krahun e djathtë të këtij reparti për të shtyrë më përpara Gocajn. Po ashtu, Kalaja është në stol dhe në fushë është Hajdari përkrah Sozës. Në kampin tjetër, trajneri Josa ka aktivizuar dy sulmues të gjatë në vijën e parë, Olayinkën dhe Sefën. Loja në 45 minutat e para nuk ka shumë raste. Vetëm dy janë të rregjistruar, nga një për secilin ekipi por ajo që vërehet është një lojë e kujdesshme e palëve. Duket qartë se asnjëra nuk ka dëshirë ta humbase.

Nis me një rast për Vllazninë teksa në ’48 Tafili gjuan fort tokazi dhe ka pritur Shehi. Menjëherë kundërpërgjigjet Sefa që vë në vështirësi portën e vendasve. Rasti më i mirë për kuqeblutë do ishte ai i minutës së 53-të. Pas një goditje dënimi, topi shkon në zonë, aty ky Shtubina kërcen bukur me kokë dhe portieri Shehi vetëm mbi vijën fatale arrin ta shtyjë topin jashtë katërkëndëshit të portës. Më vonë edhe një rast për Tafilit dhe vetëm kaq për skuadrën shkodrane. Tek lojtarët e saj fillojnë të vihen re shenja lodhjeje. Në një moment është Baci që del huq në përpjekjet për të larguar një top nga zona dhe përfiton Lilaj por që gjuan keq mbi traversë. Dy minuta më vonë do ishte Olayinka që i vetëm me Selimajn gjuan por portieri i Vllaznisë shpëton portën e tij. Po ky futbollistë edhe në dy raste të tjera do shfaqej para portës së kuqebluve por duke humbur raste të pastra. Ndërrimet që bën Josa, i japin më shumë freski miqve. Sidomos më Alikajn e Martins që shtojnë rrezikun në zonën shkodrane. Madje do ishte Martins ai që në ’90 do “vidhte” 11-metërshin duke u përplasur me Beqirin dhe nga pika e bardhë, kapiteni Shkëmbi nuk mund të gabonte. Përfundimisht 1-0 për Skënderbeun që ruan hapin e ekipeve të tjera pretendente ndërsa Vllaznia ndal hapin e saj. Mbase një ndalje e logjikshme sepse ajo jo më kot është e gjashtë në renditje. Gjithsesi, mbrëmë në “Loro Boriçi” ka fituar futbolli dhe entuziasmi i tifozërisë së pranishme, kuptohet që është për t’u respektuar sepse kampionati ynë ka nevojë për to.

Vllaznia- Skenderbeu 0-1

Shenues: Shkembi ’90 (11-m)

Vllaznia:  Selimaj, Sykaj, Mehmetoviç, Beqiri, Baci, Tafili, Dema (Kalaja 75′), Gocaj, Hajdari (Pjeshka 84′), Shtubina, Soza. Tr: B. Rainieri

Skenderbeu: Shehi, Vangjeli, Jashanica, Arapi, Abazi (Alikaj 75′), Lilaj, Shkëmbi, Nimaga, Progni, Olayinka (Lulaj 90+1), Sefa (Martins 84). Trajner M. Josa

Kartona të verdhë: Beqiri / Sefa, Abazi

Gjyqtar : K. Meta, R. Çokaj, N. Bregasi