Vllaznia mundet 0-1 nga Teuta me një lojë që nuk ngjitet në lartësinë e duhur

200

Ndeshja e parë e Vllaznisë në “Loro Boriçi” për kampionatin e ri ka rezultuar e pafat për kuqeblutë. Përballë mbi 5 mijë tifozëve të pranishëm në stadium, kuqeblutë janë mundur 0-1 nga Teuta në ndeshjen e vlefshme për javën e dytë të kampionatit. Një 90 minutësh që nuk është ngjitur në lartësinë e duhur për skuadrën tonë dhe pikërisht prej kësaj ka përfituar kundërshtari i cili me golin e shënuar nga Çyrbja ka arritur të marrë tre pikët në këtë takim. Vllaznia ka qenë edhe e pafat sepse Gilman Lika me një goditje shumë të bukur të topit nga rreth 25 metra ka tronditur traversën në minutën e 80-të por topi nuk ka përfunduar në rrjetë. Skuadra gjithsesi nuk ka funksionuar ashtu si duhet në këtë takim dhe sidomos janë vërejtur probleme në repartin e mesit të fushës. Gjendja jo e mirë fizike e ndonjërit prej lojtarëve të këtij reparti ka patur ndikimin e vet në lojë por nuk duhet lënë mënjanë edhe paraqitja e kundërshtarit në këtë takim. Ndeshja e rradhës për ekipin tonë do të luhet në Gjirokastër të shtunën e ardhshme ndaj Luftëtarit vendas.
© vllaznia.al