Vllaznia mundet 2-3 nga Teuta. Skuadra probleme në mbrojtje

202

Skuadra e Vllaznisë është mundur edhe sot në ndeshjen e rradhës, atë që ka zhvilluar në Kavajë me Teutën me rezultatin 2-3. Por më shumë sesa një aftësi e durrsakëve për ta fituar ndeshjen, ashtu si dhe ndaj Skënderbeut në mesjavë, fatin e ndeshjes e kanë vendosur gabimet elementare të mbrojtjes kuqeblu. Pjesa e parë e ndeshjes do të mbyllej me rezultatin 1-0 me golin e Daniel Xhafës në ’18. Ai ka shfrytëzuar një pasiguri të Sykajt për të larguar fillimisht topin dhe më pas, ka arritur të kalojë edhe Seminën e Vujadinoviç dhe ka shënuar. Në pjesën e dytë edhe pas zëvendësimit të bërë nga ana e trajnerit Canaj me uljen në stol të Beqirit dhe aktivizimin e mesfushës, gjërat fillojnë të rregullohen. Fillimisht Bushiç do barazonte rezultatin në ’54 pas një goditje të saktë të topit me kokë ndërsa shtatë minuta më vonë ka shfrytëzuar një gabim të portierit Vashaku dhe ka shënuar edhe golin e dytë. U duk se loja tashmë do kontrollohej nga kuqeblutë por nuk do ndodhte kështu. Ata lëshojnë në lojë dhe i japin mundësi futbollistëve kundërshtarë t’i afrohen zonës. Në minutën e 73-të, Gocaj gabon në largimin e topit, përfitojnë kundërshtarët, topi shkon në zonë dhe aty Ansi Nika me kokë shënon golin e barazimit. Ndërkohë 10 minuta më vonë, sërish Nika kroson nga e djathta në zonë për Daniel Xhafën që i shmanget mbulimit të Seminës dhe shënon golin e tretë dhe të fitores për Teutën. Përfundimisht 3-2 për të ndërsa drejtuesit e Vllaznisë duhet të analizojnë hollësisht atë se çfarë ka ndodhur me këtë skuadër në dy ndeshjet e fundit kur kanë pësuar plot 6 gola.

© vllaznia.al