Vllaznia mundet edhe në Korçë, 0-3 nga Skënderbeu

192

Vllaznia pëson një tjetër humbje. Këtë herë ajo është mundur me rezultatin 3-0 në ndeshjen e luajtur në Korçë ndaj Skënderbeut vendas. Takimi është luajtur pasditen e së shtunës dhe kuqeblutë kanë zhvilluar një lojë përgjithësisht të dobët. Trajneri Raineri e ka nisur ndeshjen me një formacion 100 për qind të përbërë nga shkodranët por edhe ky fakt nuk ka ndikuar në marrjen e një rezultati pozitiv. Takimi nis më mirë për vendasit të cilët fillojnë të rrezikojnë por kundërpërgjigjet edhe Vllaznia por pa patur forcën e duhur sulmuese. Në minutën e 21-të Selimaj gabon në zotërimin e një topi thuajse mbi vijën e portës duke ia dhuruar atë Dimos që nuk e ka të vështirë ta dërgojë në rrjetë. 1-0 do të mbyllej pjesa e parë. Në të dytën pritej që tek Vllaznia të ndryshonte diçka për mirë por nuk do ndodhte kështu. Në minutën e 58-të, një kros I Shkëmbit nga e djathta, gjen të zbuluar sulmuesin Piter që kërcen me kokë dhe e dërgon topin për të dytën herë në rrjetë. Kuqeblutë mundohen të reagojnë, krijojnë  dy-tre raste të mira por vetëm kaq pasi Vangjel në minutën e 76-të do të shënonte dhe golin e tretë e të fundit. Përfundimisht 3-0 për Skënderbeun.
© vllaznia.al