Vllaznia mundet sërish nga Kukësi dhe sërish 1-2

238

Vllaznia mundet sërish nga Kukësi brenda në “Loro Boriçi” dhe sërish me të njëjtin rezultat, 1-2. Takimi ka nisur me gol. Në minutën e 6-të, një goditje këndi për miqtë, topi shkon në zonën e vendasve dhe Sykaj i pashqetësuar nga askush kërcen në ajër për të larguar topin me kokë dhe çuditërisht ai e dërgon prapa. Aty ku ishte Pejiç që i vetëm përballë portierit Selimaj nuk gabon duke e dërguar topin në rrjetë. Kaq do mjaftonte që Vllaznia ta humbte toruan. Ajo e ka të vështirë të dalë në lojën e saj dhe për më tepër, mungon befasia në sulm. Mesfusha është në një ditë për t’u harruar dhe lojtarët e saj nuk duken fare në fushë duke e lënë sulmin krejt të vetëm. Megjithatë Soza në dy momente, në minutat 25 dhe në shtesën e pjesës së parë, ka vënë në vështirësi portën kukësiane por gjen gatishmërinë e portierit Halili për të reaguar dhe larguar rrezikun. 45 minuta që dhuruan një lojë shumë të dobët të të dy ekipeve, madje edhe Kukësi, me përjashtim të rastit “të falur” të golit, nuk kanë gjuajtur asnjëherë tjetër në katërkëndëshin shkodran.
Pjesa e dyte nis me më shumë dëshirë nga Vllaznia. kuptohet që nuk ka se çfarë të humbasë dhe kërkon të shtyjë më përpara. Por kur pritet që ajo të rrisë presionin për të barazuar, ndodh e kundërta. Në minutën e 58-të, një nga mbrojtësit e Vllaznisë ndërhyn në mënyrë të panevojshme dhe të gabuar ndaj një kundërshtari në një distancë rreth 20 metra me portën dhe gjyqtari Pashaj akordon goditje dënimi. Topi ekzekutohet në mënyrë perfekte nga Lushtaku dhe drejt e në trekëndësh. 2-0 dhe këtu duket se loja përfundon por në fakt do kishte edhe të tjera emocione. Katër minuta më vonë, Tafili gjuan në drejtim të portës kukësiane por topi ndalet në dorën e Dushkut. Gjyqtari Pashaj është pranë dhe akordon 11-metërsh. E merr përsipër ta gjuajë Shtubina por nuk është i saktë sepse Halili kupton krahun dhe e grushton atë. Pas dy minutash, një top i ardhur nga këndi shkon tek Soza që kërcen lart me kokë dhe e dërgon atë në rrjetë por ndërhyn gjyqtari duke e anulluar sepse uruguajani i Vllaznisë ka shkaktuar faull ndaj një kundërshtari. Megjithatë kuqeblutë do ta shënonin një gol, pikërisht në ’65 kur Kalaja arrin të realizojë një goditje të shkëlqyer dhe ta poshtë portierin mik. Loja fiton emocione, rriten shpresat e vendasve për barazim por mund të kishte shënuar edhe Lushtaku në ’80 i vetëm përballë Selimajt. Këtë gjë nuk e bën as Shtubina pas pasit të Sozës në ’88 sepse pret Halili. Në fundin e takimit, Beqiri në përpjekje për ta kthyer topin me kokë për tek portieri i tij, “ia dhuron” atë Pejiçit që këtë herë e “fal” Vllaznisë duke e dërguar topin jashtë. Përfundimisht 2-1 për Kukësin që “ia ka marrë dorën” skuadrës shkodrane duke e mundur pa shumë vështirësi por më tepër, duke përfituar nga vetë gabimet e lojtarëve të saj.
Vllaznia- Kukësi 1-2
Shënues: Kalaja 65’/ Pejiç 6’, Lushtaku 58’
Vllaznia: Selimaj, Gocaj, Beqiri, Sykaj, Baci (Hajdari 87’), Tafili, Dema (Bardulla 64’), Krymi, Soza, Shtubina (Çinari 89’), Kalaja. Tr: B. Raineri.
Kukësi: Halili, Malota, Dushku, Hallaçi, Smajli, Xheferson, Zeqiri, Lushtaku, Mici, Hysa (Dushku 91’), Pejiç. Tr: A. Shaqiri.
Gjyqtarë: B. Pashaj, E. Barushi, D. Rexha (Tiranë)
Vëzhgues: Sazan Velçani
Delegat: Millan Baçi
Kartona të verdhë: Dema/ Dushku, Zeqiri, Lushtaku, Smajli