Vllaznia në fushë ndaj Tiranës për të marrë fitoren

275

Pas barazimit të arritur të mërkurën ndaj Partizanit për kupë, Vllaznia do të kërkojë një tjetër rezultat pozitiv sërish në stadiumin “Qemal Stafa” të kryeqytetit, këtë herë ndaj Tiranës për kampionat. Ndeshja do të luhet të shtunën në orën 13.30 dhe konsiderohet mjaft e rëndësishme për kuqeblutë. Ato vijnë pas tre humbjesh rradhazi në kampionat, gjë që ka sjellë dhe zbritjen e tyre në renditje dhe për këtë arsye, është e detyrueshme marrja e pikëve në ballafaqimin me bardheblutë. Duke vlerësuar rëndësinë e ndeshjes, drejtuesit e klubit shkodran kanë vendosur që ta grumbullojnë skuadrën që nga dita e mërkurë në Durrës për ta lënë atë të përgatitet e qetë për këtë sfidë. Klubi kësisoj i plotëson edhe njëherë të gjitha kushtet skuadrës për përgatitjen siç duhet të ndeshjes së rradhës. Por marrja e pikëve në këtë takim me Tiranën nuk do të jetë e lehtë pasi Vllaznia po shoqërohet nga jo pak probleme. Edhe në këtë ndeshje ajo nuk do të jetë e plotë. Duke filluar nga pankina ku sërish do të mungojë trajneri Agim Canaj. Ai është penalizuar me dy ndeshje nga Komisioni i Disiplinës dhe me një gjobë prej 1 milionë lekësh për reagimin ndaj gjyqtarit në ndeshjen e fundit me Partizanin. Një dënim i rëndë që i ndodh vetëm këtij trajneri dhe Vllaznisë sepse kemi parë raste edhe më të rënda dhe nuk ka patur asnjë dënim. Përveç trajnerit Canaj do të mungojë edhe sulmuesi kroat Bushiç i cili jo vetëm është i dëmtuar por edhe i penalizuar me tre kartona të verdhë. Në dyshim është edhe Beqiri sërish apo dhe Boci e ndonjë futbollist tjetër për shkak të dëmtimeve. Megjithatë pavarësisht këtyre mungesave, Vllaznisë i duhet patjetër marrja e pikëve nesër ndaj Tiranës. Dhe natyrisht që këtë shpresojmë të gjithë.
© vllaznia.al