Vllaznia nga e hëna në Velipojë në përgatitje për rinisjen e sezonit

224

Që nga mesdita e së hënës ekipi i Vllaznisë është nisur drejt Velipojës ku do të vazhdojë përgatitjet për nisjen e gjysmës së dytë të sezonit. Kuqeblutë janë sistemuar në kompleksin “Jakaj” në kushte mjaft të mira akomodimi ndërsa që skuadra po stërvitet në fushën sportive “Adriatik”, aty ku i zhvillon ndeshjet e saj ekipi i Adës. Megjithatë do të shikohet nëse stërvitja e tyre do të vazhdojë atje, pasi kushtet atmosferike nuk duken shumë favorizuese. Ndërkohë me ekipin kanë udhëtuar të gjithë lojtarët që kanë mbyllur sezonin, me përjashtim të Ramadanit e Seminës, të larguar tashmë. Gjithashtu, kanë udhëtuar edhe tri afrimet e deritanishme, Marku, Shaba e Zefi. Lojtarët gjatë këtyre përgatitjeve do të marrin ngarkesat maksimale. Kjo periudhë do ta ndihmojë trajnerin Canaj dhe stafin e tij të bëjë gati skuadrën për ndeshjen e javës së ardhshme me Skënderbeun që do të jetë edhe takimi i parë zyrtar për këtë vit. Deri atëherë, Vllaznia mendohet të zhvillojë edhe dy ndeshje miqësore, një në mesjavë në Shkodër dhe një të shtunën jashtë saj. Këto miqësore do të shërbejnë për të parë edhe gjendjen e secilit prej futbollistëve apo dhe vendosjen e tyre në fushë, nisur edhe nga ndonjë afrim i ditëve të fundit.
© vllaznia.al