Vllaznia nis stërvitjen. 9 futbollistë të rinj në provë

232

Vllaznia më në fund ka nisur nga puna. Ndonëse disi me vonesë, stafi I ri I kësaj skuadre, I përbërë nga katër trajnerë italianë, nuk ka kërkuar të humbasë më shumë kohë dhe paraditen e së shtunës ka zhvilluar seancën e parë me skuadrën. Ajo është zhvilluar në stadiumin “Loro Boriçi” dhe në të ka rënë në sy prania e një numri të madh futbollistësh. Disa prej tyre ishin të rinj të ardhur nga Akademia Vllaznia, të tjerë ishin të ardhur për provë ndërkohë që ishin të pranishëm dhe zhvilluan edhe stërvitjen e parë me kuqeblutë edhe portieri Shpëtim Moçka e mesfushori kosovar Rijat Shala dhe mesfushori tjetër Xhon Grabova. Këto dy futbollistë pritet të jenë pjesë e Vllaznisë në sezonin e ri. Përveç tyre ishin të pranishëm edhe të tjerë lojtarë të ardhur për provë si Tushe e Ferhati të ardhur nga Dinamo, Sulollari I ardhur nga Tërbuni, kosovari Uran Shala si dhe dy vëllezërit shkodranë të ardhur nga Italia Xhon dhe Xheki Molla. Gjithë këta të fundit do të jenë në provë për disa ditë tek Vllaznia dhe në fund do të jetë trajneri Raineri do të përcaktojë se kush do qëndrojë dhe kush do largohet. Me shumë të ngjarë një pjesë e madhe e tyre nuk do jenë më pjesë e kuqebluve. Nga ana tjetër pritet që në stërvitjen e pasdites por edhe gjatë këtyre dy- tre ditëve të ardhshme të vijnë edhe një numër I madh futbollistësh të tjerë. Bëhet fjalë për një sulmues brazilian, një mbrojtës kroat por edhe lojtarë të tjerë që do vijnë për provë. Nga ana tjetër, në këtë stërvitje të parë ka rënë në sy mungesa e disa futbollistëve titullarë të sezonit të kaluar. Burime pranë klubit bëjnë të ditur se ata nuk janë lajmëruar për stërvitje megjithatë kanë mbërritur pak me vonesë në zyrat e klubit ku janë ulur në tavolinë për të biseduar me drejtuesit e klubit për kushtet e kontratave të reja që ata duan të firmosin me Vllazninë. Merret vesh se bisedimet janë në rrugën e duhur dhe të gjithë futbollistët që kanë luajtur vjet me kuqeblutë, të jenë sërish pjesë e skuadrës.

www.vllaznia.al