Vllaznia, një minutë heshtje në nderim të figurave të sportit shkodran

200

Para takimit të sotëm është mbajtur një minutë heshtje nga futbollistët e të dy ekipeve, gjyqtarët dhe tifozët e pranishëm në stadium. Kjo në nderim të disa figurave të njohura të sportit shkodran dhe atij shqiptar që janë ndarë nga jeta kohët e fundit. Klubi i Futbollit Vllaznia kishte vendosur të nderonte sonte në prag të nisjes së takimit me Kukësin ish- futbollistin e njohur të saj të viteve ’60 Kol Gjoni Belaj. Po ashtu edhe ish- kapitenin e kombëtares shqiptare të futbollit Lin Shllaku që fillimet e karrierës së tij i ka në qytetin e tij të lindjes, në Shkodër me Vllazninë. Është nderuar njëkohësisht dhe gazetari i njohur sportiv Ramadan Bigza, edhe ai i ndarë nga jeta para disa kohësh. Klubi Vllaznia gjithnjë është munduar të tregohet mirënjohës ndaj atyre që e kanë nderuar në vite dhe për këtë arsye, herëpashere i kujton ato. Kol Gjoni Belaj, Lin Shllaku dhe Ramadan Bigza sigurisht që do mbeten gjatë në historinë e sportit për atë se çfarë kanë dhënë për të prandaj një minutë heshtje i mbajtur sonte për ta, ishte minimumi që mund të bëhej.
© vllaznia.al