Vllaznia për femra- fituese e Kupës së Shqipërisë për sezonin 2013-14

223

Vllaznia në futboll për femra është fituesja e Kupës së Shqipërisë për sezonin 2013- 14. Ajo ka mundur në finale me rezultatin e thellë 7-1 ekipin e Juban Danjës duke treguar se jo më kot është edhe kryesues aktual i kampionatit dhe për momentin ekipi më i mirë i futbollit shqiptar. Ndeshja është luajtur pasditen e sotme në stadiumin “Loro Boriçi” dhe është ndjekur me interes nga një numër i konsiderueshëm tifozësh. Interesant ishte edhe fakti se kanë qenë të pranishëm edhe presidenti i FSHF-së Armando Duka, dy zëvendëspresidentët Lutfi Nuri e Bujar Kasmi, sekretari i përgjithshëm Ilir Shulku dhe zyrtarë të tjerë të këtij institucioni si për të treguar se ata do e kenë gjithnjë e më shumë në vëmendje futbollin e femrave. Ndeshja në fakt nuk ka patur shumë histori në fushën e lojës. Vllaznia ka shënuar shumë shpejt tre gola me anë të Begollit në minutat 2 dhe 18 si dhe të Berishës në ‘7 duke udhëhequr 3-0. Emanuela Jaku do rihapte disi lojën me golin e saj për Juban Danjën në minutën e 34-të por vetëm kaq. Pjesa e parë do mbyllej 3-1 për Vllazninë. Në pjesën e dytë, vajzat kuqeblu do dominonin tërësisht duke shënuar edhe katër gola të tjerë me anë të Jasharit në ’68, Doçit në ’77, Berishës në ’79 dhe Hoxhës në ’90. Përfundimi 7-1 për Vllazninë e cila është fituese e Kupës së Shqipërisë. Pas kësaj ndeshje është zhvilluar ceremonia e dorëzimit të medaljeve për të dy ekipet dhe emocione ka shkaktuar momenti kur presidenti Duka do t’i dorëzonte kupën kapitenes së Vllaznisë Erida Bajrakurtaj. Në këtë mënyrë Vllaznia ka fituar të parin trofe të këtij sezoni por me shumë mundësi do jetë edhe fituesja e trofeut më të rëndësishëm, titullit kampion sepse realisht ka ekipin më të mirë të futbollit të femrave në Shqipëri.
© vllaznia.al