Vllaznia për femra, kualifikohet pa vështirësi për në finale të Kupës

234

Përcaktohet çifti i finales së Kupës të Shqipërisë në futboll për femra. Vllaznia dhe Kinostudio do të jenë dy ekipet që do të diskutojnë fitoren e këtij trofeu, i pari për sezonin 2015-16. Vllaznia ka siguruar daljen në finalen e Kupës së Shqipërisë pa ndonjë vështirësi të madhe. Në ndeshjen gjysmëfinale të luajtur paraditen e së shtunës në fushën sportive ”Reshit Rusi” ndaj ekipit Tirana AS, vajzat shkodrane kanë fituar me rezultatin e thellë 6-0. Në pjesën e parë janë shënuar tre gola që kanë patur për autore Begollin, Doçin dhe Bajraktarin dhe po kaq janë shënuar edhe në të dytën me autore Mujën, Doçin dhe Proton. Përballë këtij kundërshtari Vllaznia tregoi edhe njëherë tjetër se vazhdon të jetë më superiore dhe vetë trajneri Nikolin Leka është shprehur bindur se edhe finalja do të flasë në favor të saj. Krejt ndryshe rivaliteti në ndeshjen tjetër gjysmëfinale. Kinostudio ka fituar me rezultatin e ngushtë 3-2 Apoloninë duke u kualifikuar ajo për në finalen e javës së ardhshme ndaj Vllaznisë. Burime pranë Federatës Shqiptare të Futbollit bëjnë të ditur se ende nuk është caktuar vendi se ku do të luhet kjo ndeshje. Sigurisht që Vllaznia, kampionë në fuqi e vendit por edhe fituese e kupës në fuqi, do të kërkojë ta bëjë të vetin edhe këtë trofe megjithatë duhen pritur edhe 90 minutat e finales.

© vllaznia.al