Vllaznia për femra mund 2-1 Kinostudion. Titulli tani vetëm formalitet

272

E ka kaluar me sukses edhe përballjen direkte me rivalen kryesore, ekipin e Kinostudios dhe Vllaznia në futboll për femra tashmë është vetëm një hap larg titullit kampion. Ndeshja mes këtyre dy ekipeve është zhvilluar mesditën e sotme në kompleksin e ekipeve kombëtare në Kamëz dhe është ndjekur me interes. Pjesa e parë është shoqëruar me rivalitet megjithatë asnjëra nga të dy skuadrat nuk ka mundur dot të shënojë gol. Në pjesën e dytë ndërkohë, skuadra e Kinostudios do të kalonte e para në avantazh por ai nuk do zgjaste shumë. Skuadra e Vllaznisë ka barazuar brenda 120 sekondash me anë të Berishës dhe jo vetëm kaq. Pak minuta më vonë do të vinte edhe goli i dytë për vajzat kuqeblu me autore Kastratin dhe në këtë mënyrë me këtë rezultat, pra 2-1 për Vllazninë, është mbyllur krejt ndeshja. Ajo tashmë ndodhet në kuotën e 43 pikëve duke qenë plot 6 pikë përpara Kinostudios dhe kur kanë mbetur edhe tre ndeshje deri në fund të kampionatit, titulli kampion tashmë është vetëm një formalitet. Në tre takimet e mbetura, futbollistet kuqeblu do luajnë me The Door, Shkëndinë e Durrësit dhe Dajtin në takimin e fundit dhe gjasat janë që ta mbyllin kampionatin pa asnjë humbje. Në ndeshjen e sotme ekipi është shoqëruar edhe nga drejtuesit e lartë të klubit, administratori Gjyrezi dhe drejtori sportiv Grima. Fitorja e sotme sigurisht që është një sukses për vajzat e këtij ekipi, për trajnerin Selami Pepaj, por mbi të gjitha për presidentin Lazer Matija që ka investuar fuqimisht për këtë ekip duke marrë lojtaret më cilësore dhe për rrjedhojë pas Kupës së Shqipërisë të fituar pak kohë më parë, tashmë edhe titulli është rrugës për në Shkodër.

www.vllaznia.al