Vllaznia për femra shpallet kampione. Festa e titullit pas dy javësh

247

Ndonëse duhen edhe dy javë të tjera për t’u mbyllur kampionati i gjashtë i futbollit të femrave në vendin tonë, Vllaznia është zyrtarisht kampione e Shqipërisë për sezonin 2014-15. Ka ndodhur kështu pas fitores së djeshme 8-0 ndaj Shkëndisë së Durrësit, fitore me të cilën vajzat shkodrane kanë ruajtur diferencën prej tetë pikësh me skuadrën e vendit të dytë- Kukësin dhe për këtë arsye, ato janë kampione ndonëse medaljet dhe kupën e vendit të parë do t’i marrin pas dy javësh në ndeshjen me Elbasanin. Në takimin e djeshëm ndaj Shkëndisë së Durrësit ka spikatur sërish Megi Doçi e cila ka shënuar plot 5 gola. Tre të tjerët kanë për autore një tjetër sulmuese të këtij ekipi, Ana Baron. Në këtë mënyrë, pas javës së 20-të të kampionatit, Vllaznia është kampione e vendit me 60 pikë të plota sepse skuadra ka arritur 20 fitore, asnjë barazim dhe asnjë humbje. Përveç kësaj, edhe golaverazhi i këtij ekipi është i frikshëm, me 157 gola të shënuar dhe vetëm 8 të pësuar. Natyrisht që kjo është një meritë e madhe e të gjitha vajzave që janë pjestare të këtij ekipi, e trajnerit Selami Pepaj që ka punuar me shumë pasion dhe në veçanti e presidentit Lazer Matija që me investimin e bërë, po korr frutet e tij duke u kurorëzuar me fitimin e të gjithë trofeve të mundshëm të futbollit shqiptar.

© vllaznia.al