Vllaznia prezanton Gilman Likën. I bën ofertë edhe Vajushit

241

Klubi shkodran ka bërë goditjen e madhe në merkato, marrjen e shkodranit Gilman Lika por ka shpresë edhe për një tjetër- Armando Vajushin. Kjo është bëre e ditur nga ana e administratorit të klubit Neritan Kalamishi pavarësisht se duket e vështirë për t’u arritur. Megjithatë, oferta i është bërë. Por, në pritje të përgjigjes përfundimtare të futbollistit të kombëtares shqiptare, kuqeblutë kanë zyrtarizuar dje kontratën me Likën. Ashtu siç ishte bërë e ditur që mbrëmjen e së premtes, me 28 vjeçarin ishte rënë dakord, paçka se dje ka ndryshuar një pikë në marrëveshjen mes palëve, ajo e zgjatjes së afatit të kontratës, gjithnjë nëse nuk ikën jashtë Shqipërisë.
Në orën 10.30, në zyrat e klubit kanë mbërritur gazetarët dhe kameramanët të njoftuar se do të bëhej prezantimi i blerjes më të re të Vllaznisë. Ka qenë administratori Neritan Kalamishi ai që ka folur i pari duke thënë: “Siç e shikoni po bëjmë prezantimin e Gilman Likës të cilit i urojmë mirëseardhjen në Shqipëri. Akordi që kemi arritur me të, na bën të lumtur e me këtë rast duam ta falenderojmë futbollistin sepse siç dihet ai nuk ka parë anën financiare të kontratës në këtë rast por preferoi të kthehej e të luante për Vllazninë ndonëse kishte edhe disa oferta të tjera, edhe më të mira se ajo e jona. Mund t’u bëj me dije, se kontrata e firmosur është 1 vit e gjysëm e në të është një opsion që nëse lojtari ka një ofertë më të mirë jashtë vendit, mund të largohet”. Pas kësaj, administratori dhe lojtari kanë hedhur firmë në kontratë para kamerave dhe aparatëve fotografikë dhe po ashtu kanë shtrënguar duart duke pozuar edhe me fanellën kuqeblu. Vetë Lika është shprehur i kënaqur për këtë firmë të hedhur në kontratë. “Kam vërtetë emocione sepse rikthehem tek ekipi i qytetit tim, pikërisht aty ku nisa karrierën. Ajo që premtoj unë është që të bëj më të mirën për Vllazninë në mënyrë që ajo të arrijë objektivat maksimal që ka”- ka thënë ai. Lika në fakt nuk ka patur dëshirë të flasë shumë. Por që ditën e djeshme, bashkë me trajnerin e përgatitjes atletike Daniele Nervi ka nisur një program individual stërvitor për të kapur sa më shpejt formën e duhur për të qenë i gatshëm për trajnerin Raineri.
Por dje në prezantimin e Likës nuk është folur vetëm për të. Administratori Kalamishi duke folur për rikthimin e shkodranëve ka “zbuluar” edhe ofertën që i është bërë Vajushit. “Me marrjen e Likës po tregojmë se jemi të përqendruar për të bërë një skuadër me futbollistë tanë. Vetëm Sozën kemi të huaj aktualisht por ndërkohë mund të bëj të ditur se i kemi bërë një ofertë zyrtare edhe Vajushit. Kuptohet që ai ka prioritete të tjera për momentin për të luajtur jashtë vendit por na ka premtuar se nëse nuk gjen ekip jashtë, në Shqipëri ekipi i vetëm me të cilin do luajë, është Vllaznia. Për këtë arsye, duhet të presim edhe disa ditë se çfarë do ndodhë me të dhe ku do ta vazhdojë karrierën”. Shanset janë të pakta megjithatë kurrë nuk duhet thënë kurrë.

© vllaznia.al