Vllaznia- Tirana, mosmarrëveshjet nesër mbyllen me shtrëngim duarsh

261

Një përfaqësi e klubit Tirana nesër do të jetë në Shkodër për të kërkuar falje atyre të Vllaznisë për gjithçka ka ndodhur në ndeshjen e javës së kaluar në mes skuadrave të tyre. Ende nuk është e qartë se kush do jetë në përbërje të kësaj përfaqësie por burime pranë klubit shkodran bëjnë të ditur se presin një numër prej rreth 10 pjestarësh të klubit mik. Me shumë mundësi në përbërje të tij do jetë presidenti Halili, administratori Alimehmeti, futbollistë e veteranë të tjerë të këtij klubi. Në rrethana të tilla, edhe klubi shkodran po merr masat që në këtë takim të përfaqësohet me drejtuesit kryesorë të tij, me futbollistë aktualë por edhe me emra të tillë si Rragami, Ndoja, Zmijani, Sinani etj. E rëndësishme është që mes palëve të ketë shtrëngim duarsh në fund të takimit dhe të bisedohet për të ardhmen, për të rritur bashkëpunimin mes klubeve. Ideja paraparake është që këto ditë të ketë edhe një ndeshje miqësore mes ekipeve të veteranëve të dy klubeve. E rëndësishme është që tiranasit duan të mbyllin gjithçka sa ka ndodhur. Duke kërkuar falje për rrëmujën e krijuar nga tifozët e tyre por edhe për dëmet e krijuara. Pak rëndësi ka se kush do t’i paguajë këto dëme. E rëndësishme është që të garantohet mosacarimi i situatave në të ardhmen dhe rritja e bashkëpunimit dhe miqësisë në mes klubeve.

www.vllaznia.al