Vllaznia U-16 fitore 4-0 ndaj Dinamos në ditëlindjen e trajnerit Volumi

76

Tjetër fitore, madje sërish e thellë për ekipin Vllaznia U-16 që merr pjesë në Ligën Amatore, zona e Tiranës. Duke luajtur sërish në transfertë, në kryeqytet, ajo sot është ndeshur me ekipin e Dinamos të cilin e ka mundur me rezultatin e pastër 4-0. Autorë të golave për ekipin shkodran në këtë takim kanë qenë Behadir Shabani, Albano Pirrza ndërsa dy golat e tjerë kanë patur për autor Sebastian Kolbuçajn. Në këtë mënyrë, me fitoren e arritur sot, ekipi Vllaznia U-16 është ngjitur në kuotën e 12 pikëve pas pesë ndeshjeve të luajtura deri më tani në kampionat. Por fitorja e sotme ka patur një të veçantë shumë të bukur. Ajo ka konsistuar pikërisht me ditëlindjen e trajnerit të kësaj skuadre, Alban Volumi. Ai ka festuar sot 36 vjetorin e lindjes dhe pas fitores së arritur sot, futbollistët e këtij ekipi ia kanë dedikuar atë trajnerit të tyre. Kjo ngaqë kyçi i suksesit të këtij ekipi përveç punës sistematike që bëhet çdo ditë në stërvitje, ka edhe një harmoni shumë të madhe në mes pjestarëve të tij. Vllaznia U-16 pas fitores së sotme ka hedhur një hap të rëndësishëm për të qenë në mes ekipeve më të mira të kampionatit dhe të mos harrojmë se të pesë ndeshjet e luajtura deri më tani, ajo të gjitha i ka zhvilluar në kryeqytet.
© vllaznia.al