Vllaznia U-17 fiton 3-1 në Durrës, Vllaznia U-19 vetëm barazim

233

Kanë nisur sot kampionatet kombëtare të Superligës për 17 dhe 19 vjeçarët. Sipas shortit të hedhur më parë, në ndeshjet e javës së parë, dy ekipet e Vllaznisë kanë qenë udhëtuese në Durrës duke u ndeshur me ekipet e Teutës. Takimi i parë ka qenë ai i 17 vjeçarëve. Vllaznia e drejtuar në këtë sezon nga trajneri Alban Noga ka fituar këtë ndeshje me rezultatin 3-1. Pjesa e parë e ndeshjes është mbyllur në barazim 0-0. Me fillimin e pjesës së dytë kanë qenë durrsakët ata që kanë shënuar të parët por më pas ka ardhur goli i barazimit për kuqeblutë 17 vjeçarë shënuar nga mesfushori Endi Brahimi me 11-metërsh. Po ky futbollist do të shënonte pak minuta më vonë sërish nga pika e bardhë pak minuta më vonë golin e dytë ndërsa golin e tretë për Vllazninë e ka shënuar sulmuesi Rubin Hebaj. Në këtë mënyrë kjo skuadër e ka nisur me fitore kampionatin e sivjetëm. Pas kësaj ndeshje ka nisur ajo e 19 vjeçarëve. Kuqeblutë kanë shënuar në pjesën e parë me anë të mesfushorit Arlind Kalaja dhe pjesa e parë është mbyllur 1-0 për Vllazninë. Në pjesën e dytë durrsakët kanë arritur të barazojnë dhe i gjithë takimi është mbyllur në barazim 1-1 duke i dhënë nga një pikë skuadrave. Në këtë mënyrë, java e parë ka dhuruar një fitore dhe një barazim për ekipet e Akademisë Vllaznia.
www.vllaznia.al