Vllaznia U-19 barazim 1-1 në Pogradec, Vllaznia U-17 humbet 1-2

154

Javë jo shumë e mbarë ka qenë kjo e katërta për ekipet e Akademisë Vllaznia. Ato kanë luajtur ndeshjet e tyre të rradhës sot në Pogradec ndaj ekipeve të këtij qyteti dhe kanë arritur të marrin vetëm një barazim e një humbje. Ndeshja e parë që është zhvilluar ka qenë ajo e 17 vjeçarëve. Skuadra e Vllaznisë e drejtuar nga trajneri Alban Noga ka patur epërsi gjatë pjesës së parë dhe për rrjedhojë janë krijuar edhe disa raste të pastra shënimi por të pakonkretizuara dot nga futbollistët e saj.


Pjesa e parë kësisoj është mbyllur në barazim 0-0. Në të dytën ka qenë Pogradeci që ka shënuar i pari por Hebaj ka barazuar për shkodranët nga pika e bardhë e 11-metërshit. Pas këtij barazimi ka ardhur edhe një gol tjetër për vendasit që kësisoj kanë arritur të marrin fitoren në këtë ndeshje. Vllaznia ndërkohë pas javës së katërt të kampionatit mbetet në kuotën e 6 pikvë të grumbulluara por duhet thënë se edhe kalendari nuk ka qenë shumë i mbarë për to sepse ka luajtur tre ndeshje në transfertë dhe vetëm një në Shkodër. Pas kësaj ndeshje, është luajtur ajo e 19 vjeçarëve. Edhe në këtë takim, kuqeblutë kanë qenë të pafat. Në pjesën e parë ata kanë fituar edhe të drejtën e një 11-metërshi por Gurishta nga pika e bardhë e ka humbur. Pak minuta më vonë ka qenë Pogradeci që ka fituar një 11-metërsh por futbollisti që e ka gjuajtur atë, ka shënuar duke bërë që skuadra e tij të mbyllë në favor të saj pjesën e parë me rezultatin 1-0. Në pjesën e dytë sërish lojë më e mirë e Vllaznisë që fiton sërish të drejtën e një 11-metërshi. Trajneri Luan Zmijani ia ka ngarkuar ekzekutimin e saj këtë herë Kalajës por edhe ky e ka humbur. Megjithatë në minutat shtesë të ndeshjes, Erald Çinari ka arritur të shënojë golin e barazimit dhe i gjithë takimi është mbyllur në shifrat 1-1. Me pikën e marrë sot, Vllaznia U-19 është ngjitur në kuotën e 8 pikëve me dy fitore dhe dy barazime të arritura në katër javët e para të kampionatit.

© vllaznia.al