Vllaznia U-19 mund 2-0 rivalen direkte, Shkëndinë brenda në Tiranë

251

Vllaznia U-19 është vërtetë e pandalshme teksa sot ajo ka mundur me rezultatin 2-0 ekipin rival kryesor në luftën për titull, Shkëndinë e Tiranës. Fitorja merr edhe më tepër vlera ngaqë është arritur në transfertë. E luajtur mesditën e sotme në Kamëz, ajo është dominuar nga fillimi e deri në fund nga djemtë e drejtuar nga trajneri Luan Zmijani. Ata si rrjedhojë e presionit të ushtruar ndaj kundërshtarit, kanë arritur të shënojnë golin e parë falë dërgimit të topit në rrjetën e portës së tij nga një mbrojtës i Shkëndisë.Ky gol është pasuar nga një tjetër me protagonist sulmuesin Erald Çinari. Pjesa e parë do të mbyllej 2-0 për Vllazninë por edhe me raste të tjera për të. Gjatë pjesës së dytë loja e mirë e kuqebluve ka vazhduar sërish. Në minutat e fundit të ndeshjes, Vllaznia U-19 ka fituar të drejtën e një 11-metërshi i cili është ekzekutuar nga Çinari por ky i fundit ka qenë i pasaktë duke mosarritur dot të shënojë golin e tretë. Në këtë mënyrë, Vllaznia është ngjitur në kuotën e 36 pikëve duke qenë tashmë plot 5 pikë larg Shkëndisë, rivales së saj kryesore.
Me shumë rivalitet është zhvilluar edhe ndeshja në mes ekipeve të 17 vjeçarëve të Vllaznisë dhe Shkëndisë. Pjesa e parë ka qenë e dobët për ekipin e drejtuar nga trajneri Alban Noga e për rrjedhojë ai ka pësuar një gol gjatë saj. Në të dytën loja e kuqebluve do të përmirësohej ndjeshëm por pa arritur dot deri tek goli pavarësisht rasteve të shumta që kanë krijuar. Në kushte të tilla e gjithë ndeshja është fituar me rezultatin 1-0 nga Shkëndia e Tiranës që vazhdon të kryesojë renditjen.
© vllaznia.al