Vllaznia U-19 ngre kupën e kampionit pas një dominimi absolut

247

Të rinjtë e Vllaznisë kanë kurorëzuar mundin dhe djersën e gjithë kampionatit ditën e djeshme, duke u shpallur zyrtarisht kampionë. Prej disa javësh kishin siguruar vendin e parë, ndërsa ishin shkëputur me pikë nga ndjekësi i tyre më i afërt, Partizani. Në takimin e javës së fundit, të rinjtë kuqeblu barazuan 1-1 ndaj Dinamos, në një sfidë që vlente më shumë për statistikë. Golin e parë e shënojnë vendësit me anë të kapitenit Kaloshi, por disa minuta më pas është sulmuesi shkodran, Kabuni, që barazon shifrat. Në fundin e ndeshjes kuqeblutë i afrohen golit të fitores, por pa e gjetur dot atë. Gjithcka mbyllet në barazim 1-1 dhe më pas shpërthen festa te shkodranët. FSHF-ja organizoi ceremoninë e dhënies së titullit kampion, teksa të gjithë të rinjtë shkodranë kishin veshur bluza, ku shkruhej: “Vllaznia kampion”. Një sukses i merituar i lojtarëve të drejtuar nga Luan Zmijani dhe Nikolin Leka, që kryesuan kampionatin gjatë tërë kohës. Ata e kanë mbyllur historinë e titullit 6 javë para fundit dhe fakti që skuadra e vendit të dytë- Partizani, ka qenë plot 17 pikë larg në fund, tregon për dominimin absolut të shkoranëve.
© vllaznia.al