Vllaznia- Veleçiku nesër në “Reshit Rusi” për ndeshjen e kthimit të Kupës

266

Pasditen e nesërme Vllaznia dhe Veleçiku do të ndeshen me njëra-tjetrën për Kupën e Shqipërisë. Kjo do jetë ndeshja e kthimit teksa takimi i parë, i luajtur dy javë më parë në “Reshit Rusi” është mbyllur me fitoren e kuqebluve 3-0. Edhe takimi i nesërm do të luhet përsëri në të njëjtën fushë ndërkohë që orari i zhvillimit të saj do jetë 13.30. Duket se ky takim nuk përbën asnjë rëndësi për këto skuadra. Vllaznia ka mbyllur gjithçka sa i takon kualifikimit për në turin tjetër dhe thjesht do të aktivizojë në këtë takim futbollistët që nuk kanë gjetur shumë hapësira deri tani në kampionat. Po ashtu, edhe trajneri i koplikasve Krepi do mundohet t’i krijojë hapësirë disa lojtarëve që nuk kanë luajtur shumë. Të dy skuadrat më shumë e kanë mendjen tek ndeshjet e rradhës në kampionat. Pavarësisht kësaj, Vllaznia duhet të kalojë këtë tur njëherë në Kupë për të filluar pastaj të mendojë për turin e dytë ku me shumë mundësi do të ndeshet me Partizanin. Kuqeblutë kanë objektivat e tyre edhe në këtë kompeticion dhe natyrisht që do kërkojnë të shkojnë sa më larg të jetë e mundur. Nisja duket e mbarë në këtë sezon prandaj të shohim se çfarë do sjellë vazhdimësia më pas.
© vllaznia.al