Vllaznia vetëm barazim 1-1 ndaj Elbasanit në Pogradec

266

Vllaznia nuk ka arritur dot të fitojë ndaj Elbasanit. Në ndeshjen e luajtur pasditen e së shtunës në Pogradec, këto dy skuadra kanë fiksuar rezultatin e barabartë 1-1.“Perla” e Gilman Likës barazohet në minutat e fundit nga goli i Xhon Grabovës, në një lojë ku barazimi ishte ndoshta rezultati më i drejtë, duke pasur parasysh rastet e shumta që patën të dyja skuadrat. Edhe pse dy ekipe pa objektiva, niveli i lojës ishte mbi mesataren. Sfida nis e qetë në minutat e para nga të dyja kampet, të cilat në fillim mundohen që të qarkullojnë topin dhe të studiojnë lojën e njëratjetrës. Mirëpo, pak e nga pak shkodranët fillojnë të shtyjnë më shumë përpara dhe në minutën e tretë Shtubina për pak shënon pas krosimit nga Lika, por nuk godet si duhet me kokë. Vllaznia luan më mirë këto minuta të para, por rastet i mungojnë, madje për pak zihen në befasi nga elbasanasit në minutën e 16-të, teksa Sulaj jep një top për Lutën, por elbasanasi i vetëm me portierin nuk godet dot. Loja bëhet më e hapur për të dyja kampet që janë në kërkim të golit, por fillimisht Toçi për verdheblutë dhe më pas Tafili për kuqeblutë nuk gjejnë dot rrugën e rrjetës me rastet që patën. Zmijani fut Çinarin për Gurin, ndërsa Dosti u beson sërish lojtarëve të formacionit. Loja nis mjaft mirë për shkodranët, të cilët zhbllokojnë rezultatin me anë të Gilman Likës në minutën e 49-të. Goditja e dënimit nga rreth 25 metra goditet mjeshtërisht nga shkodrani që e dërgon topin në trekëndësh, duke e bërë të pavlefshme edhe hedhjen e Shkëlzen Ruçit. Shokohen verdheblutë nga ky gol i pësuar, të cilët nuk dalin dot përpara edhe mundohen shumë me anë të Malindit. Janë shkodranët ata që kanë dy raste të pastra për shënim me anë të Çinarit, por në të dyja mundësitë sulmuesi shkodran nuk shtyn dot topin në rrjetë dhe mban ende në lojë verdheblutë. Skuadrat janë hapur shumë me elbasanasit që janë vënë në kërkim të golit të barazimit dhe me shkodranët që shfrytë- zojnë hapësirat e lëna nga kundërshtari, me rastet që nuk mungojnë nga të dyja kampet. Agboi është i pafat me goditjen fluturimthi nga jashtë zone, pasi topi përfundon ngjitur me shtyllën pingule të mbrojtur nga Sherri. Por, “era” e golit ndihej dhe ai do të vinte në të 88-n me anë të Grabovës, i futur në lojë në pjesën e dytë. Sulmuesi i talentuar shtyn topin në rrjetë pas një rrëmuje në zonë. Mbyllet gjithçka në barazim, edhe pse Lika në fund humb një rast të artë për të shënuar sërish.
Vllaznia- Elbasani 1-1
ELBASANI: Ruçi, Çema (Ujkashi 82′), Dosti, Hila, Musta,Agboi, Toçi, Malindi, Lamçja, Sulaj (Grabova 75′), Luta (Duka54′). (në dispozicion: Myftarago, Lleshi, Shyti, Tafani).Trajner: Muharrem Dosti
VLLAZNIA: Sherri, Gurishta, Pjeshka, Borshi (Dema 89′),Marku, Tafili, Krymi, Dyca (Vecaj 62′), Shtubina, Lika, Guri(Çinari 46′). (në dispozicion: Vjerdha, Gocaj, Baci, Hajdari).Trajner: Luan Zmijani
Shënues: Grabova 88′ / G.Lika 49′
GJYQTARE: K.Kola, I.Tartari, O.Grabova (Fier)
KARTONË TË VERDHË: Hila 30′, Duka 57′,Çema 79′, Grabova 88′