Paraqitje e shkëlqyer e ekipeve të Akademisë Vllaznia, kualifikohen në gjysmëfinale të Kupës

683

Paraqitje të shkëlqyera të ekipeve të Akademisë Vllaznisë edhe në ndeshjet e turit të dytë të Kupës së Shqipërisë. Të dy ekipet tona, si ai i 17 vjeçarëve ashtu edhe ai i 19 vjeçarëve, kanë arritur të fitojnë edhe sot dhe të kualifikohen për në gjysmëfinale të këtij kompeticioni. Një rezultat ndoshta surprizë për shumëkënd por Vllaznia U17 ka treguar vlerat e saj në takimin e sotëm çerekfinal të Kupës së Shqipërisë teksa ka mundur 2-1 Tiranën dhe është kualifikuar për në gjysmëfinale. Fakti që luante ndaj skuadrës më në formë të kampionatit, e bënte disi të vështirë fitoren për kuqeblutë por nuk ka ndodhur kështu. Skuadra bardheblu ka shënuar në pjesën e parë me anë të Cerenit në minutën e 35-të dhe pjesa e parë do të mbyllej me këtë gol. Në të dytën ndodh mrekullia. Në minutën e 51-të ka qenë mesfushori Muliu që ka barazuar shifrat. Dhjetë minuta më vonë, skuadra shkodrane do të fitonte një 11-metërsh i cili është kthyer në gol nga futbollisti Pusi. Deri në fund më pas nuk ka patur gola të tjerë dhe kësisoj Vllaznia U17 ka fituar 2-1 duke u kualifikuar për në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë. Një sukses ky për skuadrën e drejtuar nga trajnerët Bizi e Kadija teksa të gjithë futbollistët kanë bërë një paraqitje shumë të mirë, por spikati sërish portieri 14 vjeçar Tomas Kiri i cili me disa pritje të shkëlqyera që ka bërë, ka kontribuar në fitoren dhe kualifikimin e skuadrës së tij.
Ndërkohë, edhe Vllaznia U19 ka arritur të fitojë ndaj Akademisë së Futbollit me rezultatin 1-0.Ndeshja ka qenë e fortë dhe kryeqytetasit kanë mundur t’u rezistojnë kuqebluve deri në fund. Rastet e krijuara gjatë gjithë lojës, nuk janë konkretizuar dot nga sulmuesit dhe duhej një mbrojtës si Repaj që të bënte atë që duhej, të shënonte në minutën e 87-të dhe ta kalonte skuadrën e tij në turin tjetër. Në këtë mënyrë, të dy ekipet e Akademisë Vllaznia janë kualifikuar për në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë dhe tashmë u duhet të presin hedhjen e shortit për të mësuar kundërshtarët e tyre.
© vllaznia.al