Trajneri Jonuz: Rëndësi ka të kthehet shpejt normaliteti, bashkë do ia dalim

827

Prej më tepër se një jave trajneri I Vllaznisë Mirsad Jonuz ndodhet në Maqedoninë e Veriut pranë familjes së tij dhe padyshim që ndjehet I shqetësuar nga situata e krijuar në vendin e tij, por edhe në Shqipëri dhe më gjerë. Përmes një prononcimi për faqen zyrtare të klubit, numri 1 I pankinës shkodrane ka folur për këtë ndërprerje të kampionatit, ndikimin që ka ajo tek skuadra dhe detaje të tjera por duke shpresuar në një përmirësim të shpejtë të situatës. “Në rradhë të parë dua të uroj futbollistët e mi dhe gjithë shkodranët për ta përballuar me sukses këtë situatë të krijuar së fundmi nga covid-19. Do t’u kërkoja atyre të kenë kujdes për veten dhe njerëzit e tyre, të rrinë në shtëpi dhe të respektojnë atë çfarë thonë doktorët. Unë për vete jam duke qëndruar këtu në shtëpi, bashkë me pjestarët e tjeë të familjes duke respektuar rregullat e karantinës”- është shprehur fillimisht Jonuz. Më pas, duke folur për ndikimin në aspektin sportiv tek skuadra të kësaj ndërprerje, numri 1 I pankinës së Vllaznisë do të deklaronte se një situatë e tillë ka krijuar jo pak problem. “Në fakt është një situatë aspak e favorshme dhe që ka ndikimin e vet tek të gjitha skuadrat dhe normalisht edhe tek Vllaznia. Unë I kam udhëzuar futbollistët në Shkodër të mundohen të bëjnë maksimumin në kushtet që kanë, për të ruajtur deri diku formën. Ndërkohë, këto lojtarët maqedonas këtu, po stërviten rregullisht çdo ditë sepse këtu masat nuk janë shumë shtrënguese dhe ata dalin jashtë për të bërë vrapime dhe përgjithësisht kanë një formë të mirë. Shpresoj që edhe ata në Shkodër të jenë në të njëjtin kondicion”- ka thënë më tej trajneri Jonuz. Po çfarë pritet të ndodhë në të ardhmen. Jonuz shpreson shumë që kjo situatë të normalizohet shpejt dhe prandaj ka thënë se “shpresoj që situata të normalizohet Brenda një muaji dhe nga data 15- 20 prill ne t’I rikthehemi normalitetit në stërvitje. Do të jetë pak e vështirë për të kapur ritmin sepse për një periudhë afër njëmujore do të na duhet të zhvillojmë 10 ndeshje, por besoj se do ia dalim. E rëndësishme është që kjo situatë të normalizohet sa më shpejt, të tjerat do I rregullojmë”, ka thënë ai.
© vllaznia.al