Trajneri Lika: Vllaznia e ka detyrë fitoren edhe ndaj Burrelit

145

Vllaznia do të luajë nesër ndaj Burrelit në “Loro Boriçi” dhe trajneri Hasan Lika sot ka dalë para gazetarëve për të folur në lidhje me këtë takim duke shprehur edhe objektivin që do të ketë skuadra e tij. “E kemi theksuar se luajmë gjithmonë për fitore. Ashtu siç kanë shkuar ndeshjet, të gjithë e kanë parë se kemi pasur vështirësi dhe do të vazhdojmë të kemi. E rëndësishme është që futbollistët na japin besimin e duhur, pasi bëjnë maksimumin në stërvitje”, u shpreh trajneri kuqeblu. Tashmë kuqeblutë nuk do të luajnë në “Reshit Rusi” dhe është diçka pozitive. “Rikthimi në ‘Loro Boriçi’ është një lajm i mirë, pasi aty fusha është ideale për të luajtur futboll. Shpresoj të shprehemi mirë dhe ta kalojmë me sukses”, shtoi Lika. I pyetur se si është për Vllazninë të luajë një ditë pas kundërshtarëve, trajneri i kuqebluve u shpreh: “Jemi të përqendruar te ndeshjet tona, por sigurisht që duhet kthyer ndonjëherë edhe koka prapa për të parë diferencën, që është shkurtuar. Ne jemi të përqendruar te ndeshja jonë dhe shpresoj që të bëjnë ndonjë hap të gabuar edhe kundërshtarët, siç kanë shpresuar ata për ne. Ndaj Burrelit e kemi pasur të vështirë edhe në Shkodër kur kemi luajtur për Kupë. Jemi të ndërgjegjshëm që kemi një skuadër të fortë, ata kanë pasur problemet e fillimit dhe më pas janë rritur si të gjitha skuadrat e Kategorisë së Parë. Duhet të vazhdojmë të ecim në këtë rrugë, pastaj të shohim për ecurinë e mëtejshme”. Trajneri Lika ka folur edhe per çeshtjen e mosshenimit te golave nga sulmuesi Junior ne ndeshjet e fundit teksa ka thene: “Një sulmues ka për detyrë mbi të gjitha të luajë dhe t’i shërbejë skuadrës. Natyrshëm që kërkohet edhe të shënojë gola. Unë e kam theksuar, madje edhe futbollistët janë të ndërgjegjshëm, që nuk është vetëm detyrë e brazilianit për të shënuar. Është detyrë e gjithë skuadrës. Nëse do kemi një shpërndarje të golave në të gjithë skuadrën, sigurisht që suksesi do të ishte më i garantuar. Pozitive është se po shënojnë edhe lojtarët e tjerë dhe jo vetëm Silvio”.
© vllaznia.al