Trajneri Lika: Vllaznia vlerësim maksimal edhe për Besëlidhjen, duam një tjetër fitore

577

Vllaznia ka bërë një ecuri të mirë deri më tani dhe do të synojë të avancojë më tej në të njëjtën mënyrë. Trajneri Hasan Lika e pranon se kampionati ka vështirësitë e veta, megjithatë besoj se skuadra e tij do të vazhdojë të bëjë mirë. Duke folur sot për mediat në konferencën e shtypit të pragndeshjes me Besëlidhjen, numri 1 i pankinës shkodrane është shprehur entuziast edhe për vazhdimësinë:
-Profesor, me ndonjë gabim të vogël një ecuri përgjithësisht e mirë e Vllaznisë deri tani, apo jo?

-Sigurisht që ne mendojmë të gabojmë sa më pak, por ka vend gjithmonë për të vlerësuar edhe kundërshtarët sepse edhe ato kërkojnë të marrin maksimumin, jo vetëm karshi nesh por në çdo ndeshje.
-Edhe ndaj Besëlidhjes nesër objektivi nuk do të ndryshojë, vetëm fitore?
-Besëlidhja është një nga 3-4 skuadrat rivalë nëse themi kështu. Jemi përgatitur për një ndeshje të vështirë nesër por shpresoj ta kalojmë me sukses edhe atë.
-Me ndryshimet në pankinë tek Besëlidhja duket se tashmë ka më shumë optimizëm tek kjo skuadër. Një arsye më shumë për ta vlerësuar si duhet këtë kundërshtar?
-Duket se këto ndryshime kanë ndikuar pozitivisht tek kjo skuadër, fituan në transfertë javën e kaluar me Veleçikun, kështu që ne jemi të ndërgjegjshëm se do kemi vështirësi ndaj saj.
-Nesër përballen me njëra-tjetrën dy rivalet e Vllaznisë, Erzeni dhe Dinamo. Kjo do të thotë se mund ta keni vëmendjen edhe rek rezultati i kësaj sfide?
-Ne jemi të përqendruar vetëm tek ndeshja jonë. Futbollistët janë stërvitur në maksimum për ta përballur me sukses edhe ndeshjen e nesërme dhe nuk kemi ndër mend të shohim të tjerët.
-Ka ndonjë problem me lojtarët e formacionit?
-Ka ndonjë shqetësim të vogël të ndonjë futbollisti por asgjë serioze.
-Do luani në “Loro Boriçi” por në fakt tifozët nuk është se po e ndjekin shumë Vllazninë. Keni një ftesë për to?

-Ne kemi për detyrë t’i thërrasim tifozët me lojëra të bukura dhe me rezultate. Sigurisht që kemi shumë nevojë për to, por jemi të ndërgjegjshëm se duhet të bëjmë shumë më tepër që të na vijnë sa më shumë tifozë për të na mbështegur.
-Po ofrojnë festat e fundvitit, gjashtë pikët në dy ndeshjet e fundit do jenë një dhuratë e bukur nga ana juaj për tifozët?
-Shpresojmë që t’i realizojmë me sukses edhe këto dy ndeshjet e fundit të këtij viti në mënyrë që të gjithë sëbashku t’i bëjmë një mbyllje të mirë atij.
© vllaznia.al