“Vllaznia B” fiton 3-2 “derbin” me Adën

28

Ekipi i dytë i Vllaznisë ka marrë fitoren e tretë në kampionat pasditen e sotme. Ai ka fituar “derbin” me ekipin e Adës në ndeshjen e luajtur pasditen e së shtunës në fushën sportive “Reshit Rusi” me rezultatin 3-2. Një 90 minutësh ky që pati brenda shumë emocione por në fund kanë buzëqeshur kuqeblutë. Ata kanë patur disa “përforcime” nga ekipi i parë në këtë takim, duke filluar nga kapiteni Ruqi, sulmuesi Ruqi, por edhe dy mbrojtësit, Repaj dhe moldavi Cojocaru. Dhe ka qenë pikërisht njëri prej tyre, sulmuesi Belajdi Pusi ai që ka zhbllokuar shifrat në minutën e 27-të.Por pesë minuta më vonë Ada do të barazonte shifrat. Ka qenë një 11-metërsh i fituar nga velipojakët që është ekzekutuar nga Arbjas Hasanaj. Topi i gjuajtur prej tij është grushtuar nga portieri i Vllaznisë B por ka shkuar sërish në këmbët e tij dhe ai e ka dërguar në rrjetë këtë herë. Megjithatë në pesë minutat e fundit të pjesës së parë do të shënoheshin edhe dy gola të tjerë nga futbollistët e ekipit shkodran, fillimisht nga Rigers Sekja dhe më pas nga Markeljan Pali duke bërë që pjesa e parë të mbyllej në shifrat 3-1 në favor të “Vllaznia B”.U mendua se ndeshja do të mbyllej këtu por jo. Ada nuk heq dorë dhe në minutën e 56-të ngushton shifrat me anë të futbollistit Valter Pendrecaj. Ky gol do t’u jepte zemër velipojakëve dhe deri në vërshëllimën e fundit të arbitrit, ata do të krijonin disa raste të pastra shënimi por sulmuesit e tyre nuk arritën dot të gjejnë rrugën e rrjetës.Përfundimisht 3-2 për Vllaznia B e cila me këtë fitore ngjitet në kuotën e 9 pikëve dhe mban vendin e tetë në renditje ndërkohë që Ada mbetet në kuotën e 7 pikëve dhe mban vendin e dhjetë.