“Vllaznia B” gabon në “Reshit Rusi”. Humbet ndaj Klosit

45

“Vllaznia B” ka bërë një gabim të madh që mund t’i kushtojë në ecurinë e mëtejshme në kampionat. Ajo është mundur brenda në “Reshit Rusi” nga Klosi me rezultatin 1-2, në një ndeshje që mendohej përgjithësisht e lehtë. Dhe ndoshta kjo ka qenë arsyeja që ka çuar në këtë rezultat. Skuadra jonë e nisi mirë ndeshjen, madje shënon një gol me anë të Ruqit por që anullohet për pozicion jashtë loje. Më pas janë miqtë të cilët shënojnë golin e parë në minutën e 30-të me anë të Hallkajt dhe madje tre minuta më vonë do të shënonin edhe golin e dytë me anë të Pengilit. Pjesa e parë kësisoj u mbyll në shifrat 0-2 në favor të ekipit të Klosit.Në pjesën e dytë loja e kuqebluve vjen duke u rritur dhe në minutën e 60-të Smajli do të ekzekutonte golin e parë për Vllazninë B me një goditje dënimi nga një distancë e largët me portën kundërshtare. Ky gol hapi ndeshjen dhe presioni i kuqebluve u rrit në kërkim të golit të barazimit. Në shtesë ndërkohë do kishte një pretendim të vendasve për 11-metërsh pas pengimit në mënyrë të parregullt të Ruqit brenda zonës, por arbitri vazhdoi lojën. Përfundimisht 2-1 për Klosin dhe kjo humbje padyshim që i ka prishur jo pak plane Vllaznisë B në pretendimet e saj për vendin e parë të renditjes.
© vllaznia.al