“Vllaznia B” nuk ia del në ndeshjen e rradhës. Mundet nga “Luzi 2008”

588

Ndonëse u konsiderua një ndeshje shumë e rëndësishme, “Vllaznia B” nuk ia doli të fitojë ndaj “Luzi 2008” në ndeshjen e rradhës për kampionat, ndeshje kjo e luajtur në fushën sportive “Reshit Rusi”. Miqtë kanë fituar me rezultatin 3-0, por ky është një rezultat që nuk i përgjigjet lojës së zhvilluar. Kuqeblutë kanë patur mbi 7 raste të pastra shënimi, por neglizhenca e sulmuesve të saj apo dhe pritjet e portierit kundërshtar, kanë bërë që porta e Luzit të mos prekej. E kundërta ka ndodhur me portën e Vllaznisë. Në minutën e 21-të ka qenë Tavani ai që ka shënuar golin e parë në portën kuqeblu ndërsa në minutën e 41-të ka qenë Mziu që ka dyfishuar shifrat. Pjesa e dytë nis më mirë për “Vllaznia B” e cila krijon raste të pastra me Krymin, Pusin e Fikajn, por sërish nuk ka gol. Në minutën e 81-të ndërkohë miqtë fitojnë një 11-metërsh që kthehet në gol nga Baholli. Përfundimisht 3-0 për “Luzi 2008”, një rezultat që natyrisht do të ndikojë në pretendimet e ekipit tonë për vazhdimin e kampionatit.
© vllaznia.al