Vllaznia barazim me shumë vlerë në Ballsh ndaj Bylisit

319

Vllaznia ka arritur të marrë një pikë me shumë vlerë në takimin e javës së dytë të kampionatit. Atë të luajtur pasditen e së mërkurës në Ballsh ndaj Bylisit vendas. Në fund të 90 minutave, pavarësisht rasteve të të dy ekipeve, është vulosur rezultati I barabartë 0-0. Bylisi e nisi më mirë ndeshjen dhe pas minutës së 10-të, e shtoi presionin në hyrje të zonës së rreptësisë së Vllaznisë, megjithatë i munguan rastet e pastra. Nga ana tjetër, shkodranët u mbrojtën mirë dhe me anë të kundërsulmit të shpejtë tentuan ta ndëshkojnë skuadrën ballshiote dhe Zogaj në minutën e 20-të pati një rast shumë të mirë, megjithatë topi i gjuajtur prej tij kaloi ngjitur me shtyllën e majtë pingule.Edhe Bylis nuk heq dorë nga pretendimet e tij për të shënuar dhe në minutën e 30-të Bicaj shfaqet i lirë brenda zonës shkodrane, gjuan por pret Sherri në pozicion. Presioni I vendasve do të vazhdonte deri në shtesën e pjesës së parë, por asgjë nuk do të ndryshonte. 45 minutat e para u mbyllën në barazim pa gola 0-0. E dyta nis në të njëjtën mënyrë dhe trajneri Jonuz për t’I dhënë më shumë freski lojës largon nga loja brazilianin Emerson dhe në vend të tij është Herald Marku. Në minutën e 63-të është Zogaj që tenton portën ballshiote me një goditje me kokë por pa sukses. Më pas edhe Marku ka një mundësi të mirë sërish me kokë, por gabon në finalizim. Minutat e mbetura nuk dhurojnë asgjë dhe përfundimisht barazim 0-0. Një pikë me shumë vlerë për Vllazninë në këtë fillim kampionati dhe pikërisht në prag të ndeshjes së rradhës me Tiranën.
© vllaznia.al